Arbëri

Çështja e personave të zhdukur të trajtohet me prioritet të veçantë

Descriptive Text

Këshilltari i Kryeministrit i emëruar Mbajtës i Dosjes për çështjen e personave të zhdukur, Jahja Lluka, sot ka takuar familjarët e personave të zhdukur nga Komuna e Podujevës, në takimin e organizuar nga Shoqata ‘Përkorë’.

Sipas njoftimit për media nga zyra e kryeministrisë, në fillim të takimit familjarët e pranishëm u njoftuan rreth planifikimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës, që çështja e personave të zhdukur të trajtohet me prioritet të veçantë, duke potencuar nismën, me të gjithë akterët e angazhuar në këtë proces, në përgatitjen e Planit të Përbashkët të Veprimit, po ashtu përfshirjen e plotësim ndryshimit të Ligjit për Persona të Zhdukur në ‘Agjendën e Koncept Dokumenteve për vitin 2018’, pastaj përkrahjen e Qeverisë dhënë për familjarët e personave të zhdukur si në ‘projektin për rehabilitim’ përmes ndarjes së 30,000.00 (tridhjetëmijë) Euro, apo edhe në ndarjen e 3,500.00 (tremijepesëqind) Euro, për disa nga rastet specifike të familjeve të personave të zhdukur.

“Mbajtësi i Dosjes për çështjen e personave të zhdukur, Jahja Lluka, duke theksuar faktin se për familjarët çështje prioritare është të mësojnë sa më parë për fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre, theksoi se ‘Serbia duhet të ndërpresë lojërat në çështjen e personave të zhdukur dhe të hap arkivat e të jetë më bashkëpunuese, meqë dihet që Serbia asnjë veprim gjatë luftës nuk e ka bërë pa plan dhe koncept’”, thuhet në njoftimin për media.

Sipas njoftimit, kryetari i Shoqatës “Përkorë”, Latif Mehmeti dhe familjarët e pranishëm, parashtruan një sërë pyetjesh dhe ngritën shqetësimet rreth vonesave të identifikimit të mbetjeve mortore në Morgun, në Prishtinë, pastaj për të drejtat dhe beneficionet e familjarë që duhet të trajtohen me ligj, si dhe kërkesat për një përkrahje më të madhe institucionale.

“Në pyetjet e familjarëve dhe çështjet e ngritura nga familjarët, gjatë takimit u përgjigjën Mbajtësi i Dosjes për çështjen e personave të zhdukur, Jahja Lluka, Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Prenkë Gjetaj, Përfaqësuesi i Mjekësisë Ligjore në Komision, Naim Uka, përfaqësuesi i Shoqatave Familjare në Komision, Bajram Qerkinaj, dhe Udhëheqësi i Njësisë së Komisionit, Kushtrim Gara”, thuhet në njoftim.