Arbëri

Selmanaj: Nisma për amnistimin e deputetëve që përdorën armë, luftë kundër drejtësisë

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ka ngritur shqetësimin rreth iniciativës për amnistimin e deputetëve që kanë kryer vepra penale nga data 25 gusht e vitit 2015.

Ai në seancën e Kuvendit të Kosovës tha se mesazhi që dërgon kjo nismë është se kushdo dhe kurdo mund të kryesh çfarëdo vepre penale dhe vjen një kastë politike e papërgjegjshme dhe i falë ato.

“Grupi parlamentar i LDK-së nismën e tillë e vlerëson si të dëmshme, të pakuptimtë dhe në kundërshtim të plotë me përpjekjet tona për ndërtimin e shtetit të se drejtës dhe respektimin e pavarësisë së pushteteve. Ne vlerësojmë se përmes kësaj nisme deputetë të Kuvendit të Kosovës provojnë që të nxisin dhe legjitimojnë përdorimin e mjeteve parapolitike në ambientet e Kuvendit të Kosovës për realizimin e qëllimeve politike. Mesazhi që kjo nismë përçon te njerëzit kudo që jetojnë në Kosovë është se kushdo, dhe kurdo mund të kryej çfarëdo vepre penale dhe një ditë vjen një kastë politike e papërgjegjshme dhe i falë të gjitha ato”, tha Selmanaj.

Sipas tij, kjo nismë dhe ajo për shfuqizimin e ligjit për dhomat e specializuara po dëshmon se subjektet politike që janë në qeverisje, e në nismën e fundit figurojnë edhe deputetë të opozitës, nga VV, po tregon se disa deputetë nga qeverisja dhe deputetë tjerë i kanë shpallë luftë drejtësisë në vend.

“Në njërën anë ata nuk ofrojnë bashkëpunim me Gjykatën Speciale nga ana tjetër ndërmarrin nisma për amnistim apo mos bashkëpunim me gjykatat vendore. Deputetë nga shumica parlamentare kanë vendosur që nismat e tyre legjislative të mos jenë të natyrave që ndikojnë në përmirësimin e jetës së njerëzve që jetojnë në Kosovë, por të jenë vetëm të natyrës që lidhet me fatin e disa deputetëve apo disa pushtetarëve në vend”, shtoi Selmanaj.