Arbëri

Më në fund nënshkruhet kontrata për Spitalin në Ferizaj

Descriptive Text

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka nënshkruar sot kontratën për Spitalin e Ferizajt. Nënshkrimi i kësaj kontrate i hap rrugë fillimit të punimeve për ndërtimin e këtij spitali, i cili është zvarritur tani e disa vite.

Në njoftim, thuhet se Ismaili ka thënë se nënshkrimi i kësaj kontrate është një lajm i mirë për qytetarët e Ferizajt, të cilëve u ka munguar një spital i denjë ku ata do të merrnin shërbimet profesionale, të cilat i meritojnë.

“Ky është një lajm shumë i mirë për qytetin e Ferizajt dhe qytetarët e tij. Atyre u ka munguar një spital për shumë vite. Unë iu pata premtuar qytetarëve të Ferizajt që posa ta marr detyrën do ta shtyj përpara këtë proces, dhe sot kjo u bë realitet”, ka thënë Ismaili.

Më tej, ai ka shtuar se nënshkrimi i kësaj kontrate tashmë u hap rrugë punimeve për ndërtimin e spitalit, i cili pritet të përfundojë brenda 3 vjetëve.

“Ky projekt është paraparë të përfundojë brenda tri vjetëve, pra brenda këtij mandati qeverisës. Kurse, unë do të jem garantues i respektimit të afateve ligjore, pasi që ky projekt mjaft është zvarritur”, ka përfunduar ai.

Por megjithatë, kujtojmë se përzgjedhja e fituesit të tenderit për ndërtimin e spitalit përfundimisht është mbyllur disa ditë para se Uran Ismaili të marrë postin e ministrit të Shëndetësisë.

Por në vend të nënshkrimit gjatë zgjedhjeve lokale, Ismaili së bashku me Agim Aliun kandidat i PDK-së, për Ferizajn premtonin këtë spital si pjesë e programit të tyre 4-vjeçar ani pse projekti po priste vetëm nënshkrimin e ministrit dhe ishte projekt i trashëguar nga Qeveria e kaluar.