Arbëri

Frikë në veri se rezultatet e referendumit për Kosovën do t’i shtrembërojë Vuçiq

Deklarimi i qytetarëve të Serbisë në referendum për Kosovën ndoshta do të ishte zgjidhja e duhur e drejtë, nëse ai do të zhvillohej në kushte të ndershme, ka thënë për RTV Kim, Marko Jakshiq, anëtar i kryesisë së lëvizjes serbe nga Kosova “Otadžbina” (Atdheu) .

Jakshiq mendon se është koha që serbët të tregojnë nëse e duan më shumë BE-në apo ta ruajnë Kosovën në përbërje të Serbisë. Ai tërheq vërejtjen se personalisht është kundër çfarëdo ndarjeje të Kosovës.

“Unë do të doja që referendumi të mbahet, do të doja që e tërë fushata për atë referendum të jetë korrekte, e ndershme, që të gjitha opsionet politike të kenë qasje të njëjtë në medie, të mos ketë vjedhje të referendumit marrë para sysh çfarë është pushteti i Aleksandar Vuçiqit. Frikohem se i gjithë referendumi do të jetë i rremë, i vjedhur dhe se do të zhvillohet ashtu si i pëlqen atij”, ka thënë Jakshiq, transmeton Koha.net.

Jakishiq, njëri nga liderët e serbëve nga veriu i Kosovës, nuk ka qenë i ftuar në takimin me kryetarin e Serbisë Aleksandar Vuçiq në Mitrovicë në javën e shkuar.

“Nuk vuaj që të takohem me Vuçiqin pasi e di se ç’fatkeqësi e telashe i ka sjellë popullit marrë para sysh se ai e ka nënshkruar Marrëveshjen e Brukselit. Nuk është ftuar as deputeti i vetëm opozitar i Kosovës Slavisha Ristiq. Nuk jemi ftuar, sepse kryetari është frikësuar e do të paraqisnim vërejtjet tona serioze ndaj politikës së tij kombëtare dhe atë që e zhvillon në Kosovë”, ka thënë ai duke shtuar se në atë takim do ta kishte kritikuar edhe punën e autoriteteve serbe në Kosovë.