Arbëri

Molliqaj: Qasja e Kurtit e rrezikshme për Kosovën

23:00 - Ish-sekretari organizativ i Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj, ka thënë se kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka qasje politike të rrezikshme për Kosovën.

“Duke u nisur nga ajo që jam përballur në 15 muajt e fundit në parti, kam parë që nëse bëhet ajo që është bërë brenda në parti, çka mund të bëhet kur ai të merr kontrollin e shtetit, policinë dhe gjykatat. Kushdo që mendon që Albini nuk është rrezik le ta votojnë, a bën të ma lejojnë që unë të mendoj ndryshe. Shpresoj që të mos jetë ashtu, por përvoja ime 15 mujore dhe faktet po flasin kështu. Ata që besojnë ndryshe, le të mendojnë ashtu. Unë po i ftoj ata që të mos thonë i thashë e më thanë, hajde le të debatojmë për faktet që i kemi, ta mbyllim këtë çështje dhe t’i lëmë qytetarët ta vlerësojnë”, ka thënë ai.

Molliqaj: Gjasa minimale për pajtim në VV, grupi i të pakënaqurve është i madh

22:50 - Dardan Molliqaj thotë se gjasat për pajtim të të dorëhequrve nga Vetëvendosje me të tjerët që po përkrahin kryetarin aktual Albin Kurti, janë minimale.

Në Rubikon të KTV-së, ish-sekretari organizativ i kësaj partie ka thënë se grupi i të pakënaqurve në Vetëvendosje është i madh. Ka thënë se ai personalisht nuk do të shkojë në ndonjë parti tjetër ekzistuese, teksa ka lënë të hapur opsionin për parti të re. Megjithatë, ka thënë se ky vendim vjen vetëm pas takimit me të pakënaqurit tjerë.

“Sipas meje gjasat janë një ose dy për qind që të mos them zero. Sepse kanë konfirmuar metodën që po duan ta instalojnë në VV. Më s’jam individ. Gjithmonë kam folur çka bëj vet. Kurrë s’shkoj në asnjë parti tjetër ekzistuese. Gjithë jetën deri sa të shkon PDK në opozitë do të jem kundër saj. Grupi i të pakënaqurve është i madh”, ka thënë ai.

Molliqaj ka shtuar se të pakënaqurit po përjashtohen nga çështjet organizative të VV-së.

“Është plani njëmujor i pjesës së mbetur të cilët janë me Albinin. Në asnjë prej punëve njerëzit e pakënaqur nuk janë pjesë e ekipit. Thuhet se në mbledhjen e marsit do të zëvendësohen njerëzit që kanë dhënë dorëheqje. Ndërsa thonë se nuk na duan jashtë. Duhet të gjejmë kompromisin krejt bashkë. Kjo duket se s’është e mundshme. Duhet të ulemi të gjithë që jemi të pakënaqur. Duhet të diskutojmë të ardhmen tonë brenda VV-së, jashtë saj, nëpër shtëpia. Grupi është i madh. Pakënaqësia është e madhe”, ka thënë ai.

Në fund ka shtuar se është çështje ditësh se kur do të merret vesh përfundimisht e ardhmja e grupit të të pakënaqurve.


Molliqaj thotë se ka dëshmi që Kurti deshi t’i hiqte vijën e kuqe PDK-së

22:24 - Dardan Molliqaj thotë se kryetari aktual i Vetëvendosjes Albin Kurti në muajin prill të vitit 2016 kishte kërkuar që të mos viheshin vija të kuqe për koalicion të mundshëm me PDK-në.

Sipas Molliqajt, partia ka dëshmitë për deklaratën e Kurtit që “PDK është konstantja në pushtet, ndërsa variablat po ndryshojnë”.

“Ekziston incizimi me kamerë. Video-incizim i mbledhjes së prillit 2016 debati mes meje dhe Kurtit. Vetëm le të deklarohet se s’është e vërtetë dhe le të besojë publiku. Nëse ai deklarohet se po them diçka të pavërtetë, le ta publikojnë. Ai ka thënë tekstualisht se ne duhet t’i heqim vijën e kuqe ndaj PDK-së. Ishte mbledhja e Këshillit. 'Kur fitojmë ne do të bëhen ndryshime në PDK e LDK. Duhet të shohim se kush e përkrah më shumë programin tonë, PDK apo LDK'”, ka thënë Molliqaj në Rubikon të KTV-së.

I menjëhershëm ishte reagimi i anëtarit të VV-së, Hysen Durmishi, që e ka pyetur Molliqajn se si ka arritur të sigurojë videot nga mbledhjet e Këshillit të Përgjithshëm, kur tashmë ka dhënë dorëheqje.

“Unë jam siguruar që të kem një kopje të secilit procesverbal duke e parë këtë luftë speciale që po bëhej”, ishte përgjigja e Molliqajt.


Molliqaj: Kurti thirri aktivistë që të më rrahin

22:10 - Ish-sekretari organizativ i Vetëvendosjes, ka thënë se kryetari Albin Kurti dhe deputeti tjetër Xhelal Sveçla, kishin mobilizuar një grup aktivistësh që t’i rrahin anëtarët e kryesisë që nuk ishin pro kandidaturës së Kurtit për kryeministër në zgjedhjet qendrore.

“Ka pas mobilizim të aktivistëve që të na rrahin kush jemi kundër Kurtit kryeministër. Albini e Xhelali i kanë thirrur. Ka qenë nën organizimin e tyre”, ka thënë Molliqaj në Rubikon të KTV-së.

Molliqaj ka thënë se në VV kishte pasur kusht që të mos lejohej kandidatura e tij për deputet.

“Ai u kishte thënë se tash nuk kanë besim në mua dhe se unë kam paraqitur rrezik”, ka thënë ai.

Molliqaj ka thënë se anëtari i VV-së në Shqipëri, Boiken Abazi, i kishte kërkuar të mos fliste një vit.

“Më kërkoi të shkoj në Tiranë dhe të mos flas për një vit. I duhesha atyre atje që të më besonin se s’kam plane kundër Kurtit”, ka thënë ai.

Ai theksoi se është krejtësisht gënjeshtër deklarata se Molliqaj kishte kërkuar moskandidimin e Kurtit.


Molliqaj: Kurti më akuzoi mua dhe Ahmetin se luftojmë bashkë me Serbinë dhe ambasadat kundër tij

21:56 - Ish-sekretari organizativ i Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj, ka thënë se në një takim të mëhershëm që ka pasur me tash kryetarin e VV-së, Albin Kurti, ka marrë kritika se bashkë me Serbinë dhe ambasadat ndërkombëtare po bashkëpunojnë kundër tij.

“‘Unë ty të kam menduar se ti duhesh me qenë kryetar i ardhshëm i LVV-së, por e kam parë se nuk ka të bëj me dëshirën tënde për pushtet, por me një problem tjetër. Ti e di që ndaj meje ka pas grupacione që duan të më eliminojnë prej skenës politike sepse jam i vetmi që e kam kundërshtuar Rambujen’, më ka thënë Kurti. 'Kjo i bie që këta janë UDB dhe Stanishiqi, ai ka lidhje të drejtpërdrejt me Baton Haxhiun në Kosovë'. I thash ‘unë jam në këtë trajtketore a?’ Më tha që ‘jo ti nuk je në këtë trajektore por ti je i vetëdijshëm dhe po e luan këtë se po të pëlqen’. ‘Shpend Ahmeti ka marrëveshje me ambasadat e huaja në Prishtinë për të më luftuar mua, ndërsa ti ke marrëveshje ose s’po e di që ke marrëveshje kundër meje’,më ka thënë Kurti”, ka shpjeguar Molliqaj

Molliqaj tha se qëllimi i Kurtit ishte vetëm të gjente diçka që do të ishte më e besueshme për Vetëvendosjen.

Ai insistoi në një ftesë publike për debat televiziv dhe ballafaqim me Kurtin.

“Po e bën atë që e bënte pushteti, ikte prej çdo debati”, ka thënë ai.

Madje ai tha se nëse Kurti nuk vjen le ta dërgojë një prej njerëzve të cilët e përfaqësojnë atë dhe ai është i gatshëm të përballet.


Molliqaj flet për përplasjet me Kurtin, tregon si nisi përçarja në Vetëvendosje

Derisa Albin Kurti e Donika Kadaj Bujupi nuk ishin të lirë, Dardan Molliqaj, dikur dora e djathtë e Kurtit thotë se hezitoi të fliste për shkakun e përçarjeve mes tyre mu për këtë arsye.

Molliqaj sonte ekskluzivisht në Rubikon ka thënë se ka vendosur të mos hezitojë më, ndonëse Kurti vazhdon të zgjedhë heshtjen.

“Është dashtë të dëgjojmë edhe anën e tij mirëpo ai ka zgjedhur anën tjetër. Unë vendosa pasi nuk kam më kohë për të pritur. Shumë njerëz më të cilët jam takuar më kanë thënë se çfarë po ndodh me Dardanin. Tash e tutje do të kem mundësi t’i them”, ka thënë ai.

“Nga mesi i tetorit i 2016 deri ka shtatori i 2017 dhe prej shtatorit të 2017. Ishte një takim i thirrur nga Albini... ai kishte problem me disa prej neve, me problemin e mikroborgjezizmit, thënë të drejtën nuk i morra shumë seriozisht”, ka thënë ai. “E thirrëm një takim të dytë ku prezent ishte edhe Visar Ymeri dhe Boiken Abazi. Aty e pashë për herë të dytë se nuk shkonte diçka. Për fat të mirë ne kemi dëshmi edhe në këshillin e përgjithshëm, procesverbale... vazhdimisht kam treguar se Vetëvendosje do të jetë partia e parë”.

Sipas tij, brenda asaj bisede po mungonte sinqeriteti që mbizotëronte më herët.

“Janë diku 27 takime të organeve për më shumë se 15 muaj. Nuk është kjo çështje se s’është diskutuar. Unë e kam ofruar qysh në atë takim dorëheqjen time sepse kam besuar që ato që i thotë Kurti për organizatën, një pjesë e vogël qëndrojnë dhe pjesa më e madhe nuk qëndrojnë”, ka thënë ai për një takim në tetor të 2016-s.

Molliqaj theksoi se kishte filluar që të mos pajtohej me politikat e partisë, duke ju referuar edhe platformës së tanishme të Kurtit si kryetar.

“Nuk kam besuar kurrë në këtë”, tha ai.

Molliqaj ka akuzuar Kurtin edhe për orkestrim të statuseve kundër tij në periudhën para përplasjes publike.