Arbëri

Kosova po largohet nga Perëndimi, thotë Trajkoviq

00:12 -Në vazhdim të intervistës në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Rada Trajkoviq, ka thënë se ka përshtypjen që në 18 vjetët e fundit, Kosova po ikën nga identiteti i vet i Europës Perëndimore.

Sipas saj, Rugova dhe të tjerët rreth tij janë përpjekur që Kosovën ta dërgojnë në drejtim të Europës, ndërsa siç tha ajo, Rexhep Qosja e disa të tjerë ka tendenca që popullatën shqiptare të Kosovës ta orientojë drejt botës myslimane.

Trajkoviq theksoi se identiteti fetar në kohën e komunizmit nuk ka qenë asnjëherë i theksuar dhe kjo nuk ka bërë ndonjë problem në marrëdhëniet e popullit në këto hapësira.

Ajo në vazhdim ka akuzuar ucK-në, siç ka thënë ajo, për shkatërrimin e kishave dhe objekteve tjera ortodokse. Ajo ka pranuar konstatimin se gjatë luftës janë djegur edhe xhami, ndërsa, nuk ka dashur të flas shifra e numra të të vrarëve gjatë luftës, pasi, ajo ka thënë se i vjen keq për vrasjet e njerëzve në përgjithësi e jo për numrin e të vrarëve në anën shqiptare ose në atë serbe.

“Kush? –UÇK-ja! Ata sistematikisht na vrisnin dhe rrëzonin kishat tona. Ndërsa tregtinë me organe tani do ta kemi në raportin e Gjykatës Speciale. Nga ana tjetër, Rugova i ndjerë donte këtë territor ta çonte kah Evropa. Në aspektin që të respektohet dhe afrohet me vlera të krishtera. Me atë afërsi s’do të rrëzonin shqiptarët kishat e manastiret sepse unë këtu do të doja ta ruaja, me ndihmën e shqiptarëve, dhe të gjithë të shkojmë drejt Evropës. Këto dyja për mua kishin rëndësi”, ka thënë Trajkoviq.

“Fatkeqësisht, madje me ndihmën e qarqeve në Beograd, fitoi Thaçi të pranohet qysh në fillim dhe mendoj se ky ishte vendim i keq dhe si rezultat, pas 18 vjetësh, e shohim se Kosova kulturalisht po largohet nga Evropa. Përpos njerëzve që eventualisht munden të shkojnë në Evropë, po flas për të rinjtë dhe gjithnjë e më shumë ka fuqizim të elementeve myslimane, të cilëve u përgjigjet rrëzimi i kishave, mospasja më manastire. Dhe Kosova po privohet nga unë si banore serbe. Unë e shoh se një grup rreth zotëri Qosjes e kultivon këtë identitet mysliman, derisa rreth Rugovës e kishim Kadarenë dhe intelektualë të njohur shqiptarë që tërhiqnin Kosovën në anën tjetër dhe ky privim i Kosovës nga unë si serbe më përcakton që të mos dua të jetoj në Kosovën e pavarur se ky ambient s’është i afërt për mua”, ka thënë ajo.

“Problemi është se perceptimi i të gjithëve ishte, edhe në kohën e Rugovës dhe para kësaj edhe komunistët, të gjithë ishim pa këtë komponent fetar të fuqishëm te vetja, por ky faktori mysliman është gjithnjë më i fuqishëm në këtë hapësirë, pavarësisht se shumë shqiptarë e qarqe të caktuara janë duke luftuar fuqishëm kundër këtij ndikimi. Por ai është gjithnjë më i fuqishëm në këtë territor. Dhe kur lexoj raporte në media që shqiptarët gjithnjë e më pak po shkojnë në luftë të udhëhequra nga ekstremistët, gjithmonë them se ata më s’kanë pse të shkojnë se ata janë këtu. Ata janë rrezik i sigurisë për banorët e kësaj hapësire. –Po çfarë ndodhi këto vite? –Po, kemi paralajmërime të rregullta të ambasadës amerikane”, ka shtuar Trajkoviq.

“Keni raporte rreth ndeshjes së futbollit kur këtu erdhën struktura të sigurisë të Izraelit dhe punuan për sigurinë e sportistëve të tyre. Një serë gjërash, për të cilat flitet dhe për të cilat nuk flitet, por është fakt që ka shumë. Kemi më shumë se 150 kisha e manastire të rrënuara dhe qindra xhami në Kosovë janë bërë si mbrojtje raketore. E di që ekziston kjo por e di që janë rindërtuar edhe shumë të reja. Unë u linda këtu, që nga fëmijëria isha këtu dhe ndoshta nuk e di sa kisha ka në pjesën tjetër të xhamisë por këto i di të gjitha”, ka thënë Trajkoviq.

“S’do të thosha se ishte fetar. Sepse e di, që cak i sulmeve të serbëve nuk ishin xhamitë. S’ishin qëllim xhamitë. –Ishin shqiptarët. - Qëllim ishte territori. Lufta për territor. UÇK-ja e deshi territorin dhe kjo ishte luftë për territor. Madje as kundër shqiptarëve. Shqiptarët ishin bartësit e projektit të pavarësisë së Kosovës dhe ai solidaritet solli vrasjet, për të cilat më vjen keq, por edhe shumë gjëra për çka u formua Gjykata Speciale, kishte qasje etnike qëkur UÇK-ja hyri, vrau, ndoqi dhe pastroi etnikisht hapësirën dhe se më dhjetëra mijëra serbë u ndoqën dhe më nuk po kthehen. Deri tash s’u kthyen”, ka thënë veç të tjerash Trajkoviq.

 


Trajkoviq thotë se Ivanoviqi mund të jetë vrarë nga njerëzit e Radojçiqit

23:59 - Rada Trajkoviq në emisionin “Interaktiv” të KTV-së është pyetur nëse shqiptarët janë të përfshirë në vrasjen e Oliver Ivanoviqit në Mitrovicën e Veriut.

Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, ka thënë se në Mitrovicë të Veriut Radojçiq nuk mund të jetë mafioz pa shqiptarët e as shqiptarët nuk mund të kryejnë punë pa serbët.

“Jo në këtë mënyrë sepse do të thosha që kudo nuk ekziston mafia shqiptare e ajo serbe. Mafia është një dhe s’ka rëndësi kush e tërhoqi këmbëzën. Për ne është me rëndësi që mafia të zhduket nga ky territor që u bë shumë publike dhe i kontrollon proceset politike”, ka thënë Trajkoviq.

“Sepse nuk mundet Radojqiq të jetë mafioz pa shqiptarë e as shqiptarët s’mund të bëjnë disa punë pa serbët. Do të thotë, mafia është një organ, për ata s’ka rëndësi kush është shqiptar e kush serb. Ata i kanë disa punë të tyre dhe qëllimet e tyre. Mua më intereson kush qëndron tutje. Që e kanë porositur jo [shqiptarët], por që janë aty rreth Radojçiqit, ka ndonjë interes. E ai është i lidhur me të dyja palët”, ka thënë ish-deputetja Trajkoviq.


Trajkoviq: Radojçiq ka lidhje direkte me Beogradin dhe Prishtinën

23:44 - Rada Trajkoviq në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, ka thënë se Milan Radojçiq një ditë para vrasjes së Oliver Ivanoviqit nuk ishte në Mitrovicë dhe e ka akuzuar se ka lidhje direkte me Beogradin dhe Prishtinën.

“Unë nuk di asgjë, por dyshoj shumë. Marrë parasysh se ai një ditë para vrasjes s’ishte në Mitrovicë. Unë isha dje të ndaja nënshkrime për studentë dhe thanë se ishte mbyllur kafeneja e tij ku vinin të gjithë, edhe përfaqësues të qeverisë, do të thotë kishte lidhje direkte me pushtetin në Beograd. Por edhe me Prishtinën. Ai kishte truproja, për të cilat askush në Mitrovicë nuk dinte asgjë që u sollën nga anash. Asnjë zgjidhje institucionale nuk mund të kryente Haradinaj derisa nuk e merrte përkrahjen e Radojçiqit. Do të thotë, ai krejtësisht në mënyrë institucionale kontrollonte sistemin nga ana e serbëve”, ka thënë Trajkoviq.

Trajkoviq ka treguar se qytetarët e Mitrovicës së Veriut janë të frikësuar pas vrasjes së Ivanoviqit shkaku i Radojçiqit nga i cili frikësohen për hakmarrje nëse dalin e flasin para mediave.

“E dini, shpesh jam sulmuar nga banorët në veri që nga koha kur isha pjesë e institucioneve të përkohshme dhe besoja se zgjidhja për ne është në gjetjen e modalitetit të jetës së lirë për të gjithë në këtë territor. Dhe disi, sipas fuqisë, Veriu për mua e banorët ishte vend i guximit, vend ku njerëzit flisnin hapur por doli që ata dhe një numër i madh serbësh në veri u dorëzuan, u frikësuan dhe tani nuk duan të flasin”, ka thënë Trajkoviq.

“E dini si ngjante dje Mitrovica, në shkretëtirë. Njerëzit dilnin, blinin gjëra dhe iknin. Gazetarët në veri m’u ankuan që askush në Mitrovicë s’do t’u flasë publikisht për Radojçiqin sepse frikësohen. Tani ai nuk është aty por frikësohen nga kthimi i tij, njerëzit e tij apo zinxhiri që sistemi i tij mund t’u hakmerret. –Ku është ai? Në Serbi?

–Mendoj që jo. –Ka ikur? –Unë mendoj se është fshehur diku e nuk mund të fshiheni askund e të mos e dinë ata që kanë mundësi t’ju lokalizojnë, por s’mendoj se është në Serbi? Mendoj se kjo pyetje sinqerisht nuk është aq e mirë sepse ne kemi aq liri shkaku i shqiptarëve”, ka shtuar ajo.

“Mendoj se ne ishim më të guximshëm se veriu. Ne hymë në institucionet e përkohshme në mënyrë demokratike, duke e thënë të vërtetën. Unë kudo që shkoja kudo që kishte shqiptarë s’e kisha aspak me rëndësi sepse thjesht vij të them hapur çfarë mendoj, ata vinin të pajtoheshin ose jo me mua por në fund kur përfundonim, ne qeshnim dhe llogarisja që nuk i bëjmë keq njëri-tjetrit se mund të flisnim hapur. Mendoj se rezultati i përfshirjes sonë të hershme në projektet e pajtimit që nga fillimi, siç ishte Koalicioni Kthimi, përplot intelektualë, mendoj se krijuam disa ura dhe liri. E veriu ishte i përjashtuar nga çdo gjë dhe ishte i guximshëm në deklaratat ndaj shqiptarëve por qyqar kur bëhej fjala për Radojçiqin. Tani nëse kjo është rezultat ngase ata mendojnë se gjithmonë përkraheshin nga Beogradi e tani nuk po e vlerësojnë se në luftën kundër kontrollit nga ana e Radojçiqit e kanë përkrahjen e Beogradit, por druajnë se nuk kanë përkrahje dhe vendosin të heshtin sepse do të vuajnë ata dhe familjet e tyre”, ka thënë veç të tjerash ajo.


Trajkoviq: Radojçiq vendos për jetë e vdekje në Mitrovicë të Veriut

23:40 - Ish-deputetja serbe në Kuvendin e Kosovës, Rada Trajkoviq, në një intervistë për emisionin “Interaktiv” të KTV-së, ka thënë të ketë dëgjuar se përfaqësuesit e shteteve perëndimore takohen me Milan Radojçiqin për shkak se e shohin si një person që vendos për jetë e vdekje në Mitrovicën e Veriut.

Trajkoviq ka thënë se habitet se si një person me prapavijë mafioze siç është Radojçiq shërben si ndërmjetësues mes Qeverisë së Prishtinës dhe Beogradit. Në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, ka thënë se nuk pret që vrasja e Oliver Ivanoviqit të zgjidhet me qeveritë aktuale të Kosovës dhe të Serbisë.

“Kam dëgjuar se te ai shkuan edhe gjermanët edhe të gjitha shtetet që janë këtu. Më doli rastësisht kjo me gjermanë por përfaqësuesit e shërbimeve të ndryshme sepse e kishin identifikuar si njeri që vendos për jetë e vdekje në këtë territor, që i takon të them ashtu qarqeve nëntokësore, për të mos thënë më ashpër mafisë, që përndryshe siç e dini edhe Ramush Haradinaj këtë nuk e fshehur se për problemet e serbëve në Kosovë ai flet edhe me Radojçiqin e që ishte lidhja edhe mes institucioneve legale të Haradinajt apo Qeverisë së Kosovës dhe Beogradit, meqë Haradinaj ankohej se nuk kishte kontakte me Beogradin”, ka thënë Trajkoviq.

“Pastaj habiteni që një njeri me sfond të këtillë mund të jetë ndërmjetësues i institucioneve legale nga të dyja anët e linjës administrative e ndoshta dëshira ime do të ishte që në fund të hetimit të ndihmuar nga bashkësia ndërkombëtare... Jo, dua të them që nuk pres të zbulohet vrasja derisa të mos bien të dyja qeveritë edhe në Prishtinë edhe në Beograd. Sepse nëse ai ishte ndonjë lidhje mes tyre, atëherë vetëm ashtu mund të fillojë të shtjellohet rasti i Ivanoviqit. Dhe në Serbi të gjitha atentatet zbuloheshin pas rënies së qeverive dhe ka rëndësi të madhe të vritet Ivanoviqi sepse kjo u desh të ishte operacion shumë i organizuar dhe i përgatitur”, ka theksuar ajo.


Çfarë e kishte këshilluar Trajkoviqi Ivanoviqin pak para vrasjes së tij

23:31- Ish-deputetja serbe në Kuvendin e Kosovës, Rada Trajkoviq, në një intervistë për emisionin “Interaktiv” të KTV-së, ka folur për takimin e fundit që kishte me Oliver Ivanoviqin, i cili u vra më 16 janar në Mitrovicë, para selisë së partisë së tij.

Në emisionin “Interaktiv”, Trajkoviq ka thënë se e kishte këshilluar Ivanoviqin që të mos kandidonte për kryetar të Mitrovicës Veriore pasi kishte mundësi që ta vrasin.

“Po, më ka befasuar [vrasja e Ivanoviqit] pavarësisht të gjithave që i di për veriun e Kosovës. Marrë parasysh rëndësinë e Oliver Ivanoviqit dhe edhe për faktin se ishte i njohur jo vetëm mes serbëve në Kosovë, banorëve të këtij territori por edhe në rajon e globalisht dhe nuk prisja vërtet që diçka e këtillë mund t’i ndodhë një njeriu të këtij niveli”, ka thënë Trajkoviq.

“Unë me Oliverin u dëgjova pak para zgjedhjeve dhe isha kundër që ai të garonte. I kam thënë se ‘ke paguar çmim të lartë atëherë kur dole në zgjedhjet e shkuara’ dhe gjithmonë besoja se arrestimi i tij ndërlidhet ngushtë me fuqinë e tij në garë për kryetar të Komunës së Mitrovicës dhe se ishte rendi që të ishte me familje, me motrën e tij, e cila është më të vërtetë e lidhur me të, me djemtë e tij, me Bogdanin e vogël, me bashkëshorten e tij”, ka treguar ish-deputetja për bisedën që ka pasur me Ivanoviqin për kandidim.

“Ata vuanin shumë shkaku i tij dhe nuk ishte momenti që të ‘hysh në konflikt të ri’. Ai më tha: ‘se e di që kjo ishte kështu por unë s’mund ta turpëroj askënd të dal qyqar që të mos dal më e të fshihem nga ata që s’më duan e të më bëjnë diçka të keqe’. Unë natyrisht i thash se mund ta vrasin, i thash këtë, por ai u përgjigj se nëse duan ta vrasin, do ta bëjnë gjithsesi dhe kjo për mua nuk është çështje. Dhe herën e fundit për Krishtlindjen ortodokse këmbyem urimet, ai më dërgoi ‘buzëqeshje’ dhe gjithmonë më quante Rajka e mua kjo nuk më pëlqen. Më uroi Krishtlindjen. Kjo ishte e fundit”, ka treguar ajo.

Trajkoviq ka bërë thirrje në përfshirjen e FBI-së në hetimet për vrasjen e Ivanoviqit, por sipas saj, të gjithë ndërkombëtarët komunikojnë me Milan Radojçiqin.

“Epo, dua të besoj që e vërteta do të vijë me ndihmën e njerëzve normalë, serbë e shqiptarë, që duan profesionalisht të ndihmojnë e janë të vendosur, ndonëse edhe ata në sistem do të mund të fshijnë gjurmët. Por më së shumti do të besoja nëse FBI-ja do të përfshihej dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë, ndonëse edhe ata dyshojnë në atë në të cilin të gjithë dyshojmë dhe edhe ata komunikuan me z. Radojçiq dhe shpesh ishin në kontakt me të edhe përfaqësues të Gjermanisë dhe të gjitha shteteve që funksionojnë në këtë territor. Publikisht apo fshehurazi”, ka thënë Trajkoviq.