Arbëri

Pse UP ia shkëputi kontratën e punës profesoreshës Besa Luzha

Zyrtarë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, me shumë pompozitet, morën vendimin për t’ua shkëputur kontratat e punës 15 profesorëve akademikë, raporton KTV.

Në mesin e tyre ishte profesoresha e Fakultetit të Arteve, Besa Luzha, me arsyetimin se nuk i ka përmbushur përgjegjësitë dhe detyrat e përcaktuara në kontratë.

Por reagimi i saj ishte i menjëhershëm, duke e quajtur këtë vendim të ngutshëm. Ndërkaq, Luzha e quan vendim të pakthyeshëm, pasi sipas saj, ajo punë primare ka UP-në, ndërsa në fondacionin “Fridrih Erbert Shtiftung” punon me gjysmë norme, si koordinatore e programit në gjuhën gjermane.

Ajo shprehet se nuk e di se çfarë roli mund të ketë Komisioni i Etikës, por pret që edhe komunikimi tjetër do të jetë në favor të saj.

E Afrim Hoti, prorektor për bashkëpunim ndërkombëtar, është shprehur se roli i komisionit të etikës është i madh, pasi pas shqyrtimit, vendimin e përcjell në rektorat me rekomandimet e veta.

Hoti është shprehur se procesi për rishikimin e kontratave të rregullta të punës për stafin akademik po vazhdon dhe sapo të vërtetohet gjithçka, do të dalin edhe me emra të tjerë të profesorëve që do t’ua shkëpusë kontratat, pasi siç thotë, ky menaxhment ka ndërmend ta pastrojë UP-në prej çdo parregullsie.