Arbëri

Kërkohet më shumë përkujdesje për personat Sindromën Down

Nga 900 persona sa konsiderohen të jenë të prekur me Sindromën Down në Kosovë, vetëm 3 prej tyre janë të punësuar dhe atë në biznese private, raporton KTV.

Por për disa prej tyre sot ishte një mundësi e mirë, ngase në lokalin e hapur “X21” në Prishtinë do të jenë të punësuar vetëm persona të kësaj kategorie. Drejtoresha e Shoqatës “Down Sindrom Kosova” fton qytetarët që sa më shumë ta frekuentojnë këtë lokal, në mënyrë që sipas saj, të rritet edhe më shumë numri i të punësuarve të kësaj kategorie.

Sipas saj, këta të punësuar do ta kenë rrogën mujore.

Ndërsa, këtyre personave në punë do t’u ndihmojnë vullnetarë të rinj.

Zyrtarë të qeverisë u zotuan se do të mbështesin iniciativat e tilla që mundësojnë ngritjen e vetëdijes së shoqërisë, pasi sipas tyre, personat me Sindromën Down meritojnë vëmendje.

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve, KOMF, ka apeluar për më shumë mirëqenie, përkujdesje dhe garantim të të drejtave të barabarta për të gjithë fëmijët me Sindromën Down.