Arbëri

Drafti për reformën zgjedhore në sirtarët e Presidencës

Fundi i dhjetorit i vitit të shkuar ishte përcaktuar nga presidenca e Kosovës si periudha për finalizimin e draftit për reformën zgjedhore.

Tre muaj më vonë, presidenti nuk ka lëvizur asnjë hap para.

Zyra e tij ka konfirmuar se drafti ende është në tavolinën e presidentit dhe nuk është proceduar në Kuvend.

Kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu, thotë se Hashim Thaçi, përmes këtyre ndryshimeve, po mundohet ta rehatojë veten.

Ajo thotë se legjislatura e kaluar pat punuar tre vjet për reformën, por ishte penguar nga vetë partitë në pushtet.

Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se grupet punuese ishin nën presionin e kohës që të përfundonte puna më shpejt, por tash neglizhenca është te presidenti.

Ai thotë se është shumë vonë për reformë. Partitë opozitare asnjëherë nuk i janë përgjigjur ftesës së presidentit për reformë. Kanë thënë se e vetmja mundësi për t’u ulur në një tryezë te Hashim Thaçi është kur ai të vendosë të shpallë datën e zgjedhjeve.