Arbëri

Haradinaj përfitoi mbi 44 mijë euro si deputet, ndonëse mori pjesë në vetëm dy votime

Për 20 muaj sa ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës, Ramush Haradinaj ka marrë pjesë në votime vetëm dy herë.

Sipas platformës “Vota Ime”, Haradinaj ka votuar për rekomandime që ishin dhënë për RTK-në dhe Projektligjin për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit, raporton KTV.

Megjithëkëtë, për punën e tij si përfaqësues i popullit, Haradinaj, tani kryeministër i vendit, është paguar 44 mijë e 400 euro.

Në deklarimin e pasurisë, ka treguar se paga e tij mujore si deputet ka qenë 2 mijë e 200 euro.

Ramush Haradinaj, në Kuvend të Kosovës, ka përfaqësuar 50 mijë e 388 qytetarë të Kosovës.

Së fundmi, ai është kritikuar nga qytetarë, sindikata dhe shoqëria civile kur vendosi ta dyfishojë pagën e tij, duke e rritur në 2 mijë e 950 euro.

Ramush Haradinaj pati dhënë dorëheqje nga pozita e deputetit në muajin shkurt të 2016-ës, me arsyetimin se Qeveria e ka shndërruar Kuvendin në institucion për mbulesë të shkeljeve kushtetuese.

Me partinë e po asaj qeverie, PDK-në, tani Haradinaj udhëheq me Qeverinë e Kosovës.