Arbëri

Vëllai i deputetit Rexhep Selimi u plagos për shkak të një borxhi, thonë familjarët e Xhevat Nuhës

Islam Selimi, vëllai i deputetit të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, është plagosur nga të shtënat me armë zjarri, në fshatin Komoran të Drenasit.

Ngjarja ka ndodhur të premten mbrëma, kur Selimi i kishte shkuar në shtëpi biznesmenit, Xhevat Nuha, raporton KTV.

Pak çaste më vonë, pas një përplasjeje fizike në oborrin e shtëpisë, ky i fundit ka shtënë me pistoletë në vëllanë e deputetit.

Sipas familjarëve të Xhevat Nuhës, i afërmi i tyre është vetëmbrojtur.

Ata kanë rrëfyer thanë se me të dalë nga vetura, Selimi e ka sharë e fyer Nuhën, e më pas edhe e ka goditur.

Pas aktit të vetëmbrojtjes, sipas tyre, ata i kanë ofruar ndihmën e parë Islam Selimit dhe e kanë telefonuar policinë.

Nga aty, Selimi është dërguar për tretman në QKUK, prej nga Policia e ka përcjellë për intervistim nga prokurori.

Policia e ka cilësuar rastin si tentim vrasje, por nuk kanë dhënë detaje lidhur me motivet e rastit.

Jo zyrtarisht, Kohavisioni ka mësuar se bëhet fjalë për një borxh që Selimi pretendonte se ia kishte Nuha.

Pa shumë detaje, kjo, prapa kamerës, është konfirmuar edhe nga familjarët e këtij të fundit, të cilët, megjithatë, insistojnë se nuk i kishin kurrfarë borxhi viktimës.

Se e tëra ka ndodhur për shkak të një borxhi, e ka konfirmuar edhe kryeprokurori i Prishtinës, Imer Beka.

Pas intervistimit, Xhevat Nuha, është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Ndërsa, pasditen e së shtunës, Islam Selimi është paraqitur shëndosh e mirë në një video të publikuar në “facebook”