Arbëri

Vuçiq: Do të bashkëpunojmë me shqiptarët sepse ka kaluar koha kur qëllimet i realizonim në mënyra tjera

18:49 - Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka arritur në Shtëpinë e Kulturës në fshatin Llapnaselë, komuna e Graçanicës, fshat ky i banuar me shumicë serbe.

Aty ai u prit nga mijëra qytetarë serbë, të cilëve u tha se ndihma e shtetit serb do të vazhdojë për ta dhe për fëmijët e tyre në mënyrë që të kenë një të ardhme më të mirë.

“Faleminderit që keni dalë në këtë kiamet në Llapnasellë. Faleminderit që po e ruani tokën tuaj e po e mbroni emrin serb në këto momente të rënda pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit. Gjithmonë jemi përpjekur të ishim bashkë dhe të dini se nuk jeni vet, do të flasim me ju të shohim si mund të ndihmojmë popullin sepse dëshirojmë të jetoni më mirë, në paqe me fqinjët kosovarë, por të jeni të sigurt në tokën tuaj, të mund të jetoni normal me fëmijët tuaj”, tha Vuçiq para mijëra të pranishmëve në Shtëpinë e Kulturës në fshatin Llapnasellë, raporton KTV.

Ai tha se Serbia tani mund të bëjë më shumë për serbët në përgjithësi sepse “arkat janë më të pasura” dhe shtoi se “do të ketë më shumë para për ju”.

“Andaj do të punojmë bashkë që të mos ketë padrejtësi bashke, të mos ketë njerëz me nga 3-4 paga e disa me asnjë. Dua t’u them se shpresoj që herën tjetër kur të vij këtu, të kemi raste për gëzim, për hapje të shtëpive e fabrikave dhe të mund të ketë të ardhme për ju e fëmijët tuaj”, shtoi ai.

Vuçiq tha se Serbia ka investuar edhe në objekte fetare edhe ne qendrat mjekësore, ndërsa shtoi se “shpenzimet i kemi të mëdha, por mund të shpenzojmë edhe shumë më shumë që jetët tuaja të ndryshojnë”.

Para se të hynte në Shtëpinë e Kulturës, presidenti serb u ndal nga disa qytetarë serbë, të cilëve u tha se “do të bashkëpunojmë me shqiptarët sepse ka kaluar koha kur qëllimet i realizonim në mënyra tjera”.


Vuçiq: Më mirë të flas me Thaçin se të përdorim armë

17:58 - Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili po qëndron për një vizitë dyditore në Kosovë, gjatë një tubimi që ai mbajti me serbët e Mitrovicës së Veriut, ka folur për shumë tema, ndër to edhe për atë të sigurisë.

Ai ka treguar para të pranishmëve se ka biseduar edhe me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, para disa ditësh, duke thënë se është e rëndësishme të bisedohet.

“Kam biseduar me Thaçin para disa ditësh, dhe mendoj se është e rëndësishme të bisedohet dhe ne do të vazhdojmë. Por këtu, juridiksion efektiv kanë institucionet e Prishtinës”, tha ai, dhe shtoi: “Ne presim të që të shohim në këtë çështje [vrasjen e Oliver Ivanoviqit], por edhe në çështje tjera, të sjellim rezultate”.

Vuçiq tha të ketë dëgjuar disa herë pyetjen “çka të bëjmë nëse nisin sulme nga jugu”. Ndaj kësaj është përgjigjur: “Unë shpresoj se askush nuk mendon se mundet, po edhe se do, që në ndonjë mënyrë t’i dëbojë serbët nga vatrat e tyre”.

“Ne do të ndjekim politikë të këtillë për t’i mbrojtur serbët. Por ju lutem që të na lini që gjërat t’i rregullojmë përmes politikës dhe dialogut. Më mirë të bisedohet me Thaçin e Haradinajn njëmijë herë, sesa që të shkrepet këtu edhe një plumb i vetëm”, tha presidenti serb, transmeton Koha.net.


17:31 Hoti: Vizita e Vuçiqit pa incidente

Zëvendës-komandanti i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, tha këtë pasdite se gjendja aktuale në atë pjesë të Kosovës është e qetë, raporton kp.

Image

Ai ka theksuar se nuk ka pasur incidente gjatë qëndrimit të presidentit serb Aleksandar Vuçiq.


Vuçiq: Serbia s’do t’i lë kurrë serbët e Kosovës të qajnë

16:37 - ​Një grup serbësh të pranishëm në sallë në fillim të konferencës bërtitën me zë të lartë për të kërkuar ndihmë nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

“Presidenti, na ndihmon, ne jemi fajtorë që jemi serbë, shpresojmë për ndihmën tuaj, a mund të garantoni siguri dhe mbijetesë këtu? Kush do të na ndihmojë?”, ishte kjo thirrja e disa njerëzve të mbledhur, të cilëve Vuçiq iu përgjigj se “Serbia do të bëjë gjithçka që ata të mos kenë frikë dhe të mos qajnë kurrë”.


Vuçiq: Ruajtja e paqes, interesi më i madh i serbëve në Kosovë

16:34 - Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha sot se nuk mund të pajtohet me të gjithë ata që ka dëgjuar të flasin në Mitrovicën e Veriut dhe tha se interesi më i rëndësishëm dhe më i madh i serbëve në Kosovë është ruajtja e paqes.

“Unë nuk mendoj se jeni kundër, por them se asgjë tjetër nuk nevojitet në këtë moment të paqes dhe mbijetesës në vatrat tona”, tha Vuçiq, pas takimit me përfaqësuesit politikë të serbëve në Mitrovicë, shkruan KP.


Vuçiq: Nuk do të ketë mëshirë ndaj vrasësve të Oliver Ivanoviqit

16:30 - Presidenti serb Aleksandar Vuçiq mbajti një takim tre orësh me udhëheqësit politikë të serbëve në Kosovë në Fakultetin Teknik në Mitrovicën e Veriut.

Pas takimit, Vuçiq fillimisht vuri në dukje se ai personalisht u bëri thirrje pushtetit dhe opozitës dhe u është falënderues që i janë përgjigjur.

“Bisedimet u zhvilluan në një atmosferë të terrorit pas vrasjes së tmerrshme të Oliver Ivanoviqit, kemi biseduar në lidhje me Marrëveshjen e Brukselit, respektimin e Rezolutës 1244. Por përgjigja ime është se unë shpresoj se Serbia do të japë para, kryesisht për kopshte, shkolla, spitale. Interesi më i lartë i serbëve është paqja, të qëndrojnë dhe të mbijetojnë në vatrat e tyre. Ne, gjithashtu, diskutuam për krijimin e unitetit, besimit dhe respektit në mesin e serbëve, dhe këtu në veri, por edhe kudo. Ne do të lejojmë që institucionet e Prishtinës, të cilat kanë juridiksion efektiv të tregojnë rezultatet e hetimit të vrasjes së Ivanoviqit, sepse zgjidhja është e nevojshme për shkak të frikës që njerëzit ndiejnë, por edhe të ardhmes. Ne duam të dimë emrat e autorëve dhe bosët, kushdo që janë ata, serbë, shqiptarë ose të huaj të tjerë. Ndaj tyre nuk do të ketë mëshirë”, tha ai.

Vuçiq gjithashtu pasqyroi situatën aktuale në veri të Kosovës, ku shumica e oficerëve të policisë, siç kujton ai, janë të nacionalitetit serb.

"Detyra jonë ishte të flasim për projekte të reja, njësive të banimit dhe ndihmës për zhvillimin e Kosovës. Nuk do të vijnë investues të mëdhenj, derisa nuk kemi zgjidhur çështjen e statusit, por ne duam të luftojmë për këtë. Ne të gjithë e kemi kuptuar se çfarë është për ne Kosova dhe cila është detyra jonë. Kemi biseduar për gjithçka hapur. Jam i lumtur që jam tani në rrugë, pavarësisht kiametit, është parë një numër i madh. Kjo është shtëpia juaj e vetme. Ju lutem mos qani dhe të qëndroni, dhe që neve të na lini t’i zgjidhim gjërat me politikë dhe bisedime, jo me armë. Ne bëjmë të gjitha detyrat tona, Prishtina asnjë. Shpresoj se kur të vijë herën tjetër, të mos e kem të vështirë dhe të pakëndshme,” përfundoi presidenti serb, raporton KosovaPress.

Pas takimit, presidenti i Serbisë bisedoi me qytetarët për situatën aktuale në qytet pas vrasjes së Ivanoviqit, frikën dhe pritjet e tyre.


15:37 Daçiq: Vizita e Vuçiqit, vendimtare për mbijetesën e serbëve

Vizita e presidentit serb Aleksandar Vuçiq në Kosovë është vendimtare për stabilitetin dhe paqen në rajon, si dhe për mbijetesën e popullit serb, tha zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Ivica Daçiq.

“Me një vendim të tillë të guximshëm, Vuçiq ka treguar se Serbia është e përkushtuar të ruajë paqen dhe mbrojtjen e popullit serb në Kosovë, për dallim nga shumë faktorë politikë të shqiptarëve, pjesës së bashkësisë ndërkombëtare, por edhe të shumë partive opozitare në Serbi që nuk fshehin se do të njihnin pavarësinë e Kosovës dhe të cilëve paqëndrueshmëria në Kosovë u është e nevojshme për të ushtruar presion mbi udhëheqjen e Serbisë ", tha Daçiq.


14:41: Policia e Kosovës (PK), përmes një reagimi për media ka adresuar një informacion zyrtar, siç thotë me qëllim të informimit të drejtë të opinionit publik, lidhur me disa shkrime të publikuar sot në disa media/portale kryesisht serbe, ku shkruhet se në Llapnasellë janë shoqëruar (ndaluar) shqiptarë të cilëve iu janë marrë (gjetur) armë.

Lidhur me këtë Policia e Kosovës sqaron se “është institucion i zbatimit të ligjit dhe në të gjitha rastet vepron konform autorizimeve ligjore që ka, ashtu siç ka vepruar edhe në rastin e ndalimit të një automjeti civil i cili ka penguar qarkullimin e delegacionit”.

“Rreth 13.05 min, njësia në lëvizje e cila ka qenë në parapërcjellje të përfaqësuesve nga delegacioni i Serbisë, i cili ka qenë duke shkuar në drejtim të Graçanicës, saktësisht në dalje të autostradës në Veternik, kanë ndaluar një veturë civile e cila ka penguar qarkullimin e automjeteve zyrtare. Vozitësi i automjetit është ndaluar nga zyrtarët policorë, përderisa automjetet zyrtare me delegacionin e përfaqësuesve nga Serbia kanë vazhduar sipas agjendës pa incidente dhe nuk bëhet fjalë për gjetje të ndonjë arme”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

“Vlen të potencohet se nuk ka qenë eskorta e presidentit të Serbisë pasi që e njëjta deri në këtë kohë gjendet në rajonin e Mitrovicës Veri”, thuhet më tej në këtë reagim.

Policia e Kosovës thotë se mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore, duke përfshirë angazhimet e saja profesionale me qëllim të ofrimit të sigurisë ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike, si dhe njoftimit të drejtë të opinionit publik.


“Vizita e Vuçiqit në Kosovë – propagandë”

14:00 Lëvizja “Dosta je bilo” vlerësoi se vizita e presidentit serb Aleksandar Vuçiq në Kosovë u organizua për qëllime propagandistike.

Lëvizja gjithashtu deklaroi se qytetarët e Serbisë, e sidomos në Kosovë, në vend të kësaj, presin një arrestim urgjent të urdhëruesve dhe vrasësve të politikanit më të fortë të opozitës në Kosovë, Oliver Ivanoviq.

Përveç kësaj, ata thanë në një deklaratë se vrasja e fundit e Ivanoviqit në pjesën veriore të Mitrovicës quhej “vrasje politike”.

“Mjaft me fjalët e zbrazëta të Vuçiqit, cirkun propagandues dhe udhëtues, qytetarët presin vepra. Kush e vrau Ivanoviqin dhe pse”, thekson Lëvizja “Dosta je bilo”, transmeton KosovaPress.


Vuçiqi takon Rakiqin

13:00 Pas vendosjes së kurorave me lule në vendin e vrasjes së politikanit Oliver Ivanoviq, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka vazhduar vizitën në Kosovë me takimin me liderët politikë serbë.

Ai në Fakultetin Teknik është pritur nga kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq.


Vuçiq bën homazhe në vendin ku u vra Oliver Ivanoviq

12:30 Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po bën homazhe në vendin ku u vra politikani serb i Kosovës, Oliver Ivanoviq.

Ai ka vendosur lule para selisë së SDP-së, partisë së politikanit të moderuar.


Vuçiq me porosi për shqiptarët: Serbia dëshiron të ruajë paqen

12:05: Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, sot gjatë qëndrimit në manastirin e Banjskës kërkoi të zbardhet vrasja e Oliver Ivanoviqit, ndërsa kërkoi edhe zgjidhje sa më të mirë për shqiptarët dhe serbët.

“Pavarësisht interesave të ndryshme, Serbia dëshiron të bëjë gjithçka që të ruaj paqen dhe të zgjidhim mosmarrëveshjet”, ka thënë ai, transmeton Koha.net.

Vuçiq tha se ka tri mesazhe për serbët, e para është se ata duhet të mbijetojnë dhe të mbeten në Kosovë, e dyta se ai erdhi për të biseduar për të garantuar sigurinë e tyre, dhe e treta se qeveria e Serbisë duhet të merret me krimin dhe korrupsionin në radhët e veta.

"Serbët duhet të qëndrojnë dhe mbijetojnë në shtëpitë e tyre, dhe shteti i Serbisë ka ndihmuar dhe do të ndihmojë në të ardhmen. Jam këtu për të folur në lidhje me sigurinë e serbëve," tha Vuçiq.


11:37: Në manastirin e Banjskës, presidenti serb Aleksandar Vuçiq u prit nga qytetarët dhe priftëria e manastirit me peshkopin Teodosio.

Të pranishëm ishin edhe kryetarët e komunave të veriut si dhe përfaqësues nga Lista Serbe me përjashtim të kryetarit të Mitrovicës, Goran Rakiq.


11:20: Mitrovica e Veriut është në pritje të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili raportohet se tani ka mbërritur në Kosovë.

KTV ka realizuar një fotografi ku shihet se është ndërruar flamuri pranë objektit ku është vrarë Oliver Ivanovic, selia e partisë së tij.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, pritet që pas qëndrimit në manastirin në Banjskë, të shkojë për homazhe aty ku u vra Ivanoviq.

“Një grup i vogël qytetarësh janë mbledhur afër vendit ku presidenti serb Aleksandar Vuçiq pritet të mbërrijë në orën 12:00 për homazhe. Përndryshe masa të shtuara sigurie ka në gjithë pjesën veriore”, raporton KTV.

LEXO EDHE: Mitrovica e Veriut nën masa të rrepta sigurie

Kjo është agjenda e Vuçiqit sot:

Së pari ai do ta vizitojë manastirin Banjska. Pastaj nga ora 12:00, do të bëjë homazhe në vendin ku është vrarë Oliver Ivanoviçi.

Rreth orës 12:15 do të ketë takim me përfaqësuesit serbë në Kosovë, në Fakultetin Teknik në Mitrovicën e Veriut.

Pastaj do të niset për në Graçanicë, ku në orën 17:00 do ta vizitojë Manastirin, më pas në orën 17:30, do të ketë takime me qytetarë në Shtëpinë e Kulturës në Llapnasellë.

{gallery}