Arbëri

Mbetjet pyjore dhe bujqësore, alternativë bio për ngrohje

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Albena Reshitaj priti në takim ministrin e Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka, të shoqëruar nga përfaqësuesit e Ngrohtores së qytetit SH.A. Gjakovë, Admir Shala-Drejtor Ekzekutiv dhe Albana Skivjani- Drejtoreshë Financiare.

Në takim, siç njofton komunikata e dërguar nga MMPH, ndër të tjera u diskutua edhe për projektin e Ngrohtores së re të Gjakovës i cili ka për qëllim zëvendësimin e lëndës djegëse (mazutit) si ndotëse e mjedisit, me biomasën lokale nga mbetjet pyjore dhe bujqësore.

Reshitaj e vlerësoi si mjaft të rëndësishëm këtë projekt të financuar nga fondet e IPA-s, e që ndikon drejtpërdrejtë në reduktimin dhe evitimin e ndotjes së ajrit që vjen nga përdorimi i lëndëve djegëse për ngrohje si dhe ofroi përkrahje në realizimin e këtij projekti.

Ajo kërkoi nga ministri Lluka që të angazhohet në zgjerimin e rrjetit të ko-gjenerimit në Prishtinë për të evituar përdorimin e thëngjillit për ngrohje nga qytetaret me ç’rast do të reduktohej edhe ndotja e ajrit.

Nga ana tjetër Lluka u zotua që do të punojë në rritjen e kapaciteteve të ngrohjes qendrore, përdorimin e energjisë së ripërtërishme dhe investimeve në fuqizimin e ekonomisë së gjelbër.