Arbëri

Veteranët e UÇK-së lusin ambasadorët e Quintit të mos bëjnë presion te deputetët

Organizata e veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me anë të deklarate për media përsërit edhe njëherë kundërshtimin për Gjykatën Speciale ndërsa kanë një lutje për ambasadorët e shteteve të Quintit.

Deklarata, ashtu si e transmeton Kosovapress, nuk është nënshkruar nga ndonjë zyrtar i OVL-së.

Ky është teksti i deklaratës:

“I lusim ambasadorët e shteteve mike të KUINT-it, që të mos bëjnë presion mbi deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, sepse ata janë sovrani i votës së popullit”, thuhet në një deklaratë për media të OVL të UÇK-së.

“Ne si OVL UÇK, ishim dje dhe jemi edhe sot për shfuqizimin e Gjykatës Speciale sepse konsiderojmë se kjo gjykatë është e njëanshme, prandaj përmes kësaj komunikate i bëjmë me dije opinionit publik se ne si veteranë të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk kemi qenë dhe as nuk jemi kundër drejtësisë dhe organeve të saj, por kemi qenë dhe jemi kundër padrejtësive që po na shkaktohen si popull viktimë e luftës së fundit në Kosovë, sepse siç e dini, ne kemi kërkuar dhe kërkojmë në vazhdimësi që të krijohet Gjykatë vendore, e cila do të merrej me gjykimin e të gjitha krimeve të shkaktuara gjatë luftës në Kosovë”.

Në këtë lutje ,OVL e UÇK-së kërkon nga Kryesia e Kuvendit dhe kryetari i saj, që ta procedojnë iniciativën për shfuqizimin e gjykatës special, si obligim kushtetues që e kanë.

Dje nënkryetari i OVL-së së UÇK-së Nasim Haradinaj, e quajti ‘palaço’ ambasadorin amerikan në Kosovë.

“Delawie më së pari është treguar një palaço, kur i ka thyer të gjitha rregullat dhe të gjitha përgjegjësitë e tij si diplomat që i ka. Delawie nëse ka prova për komandantët që kanë bërë krime, le të urdhëron si dëshmitar. Nuk është Dealawie i plotfuqishëm që të flas çfarë të do ai. Delawie më së pari nuk e përcakton dhe nuk mund të sillet në Parlamentin e Kosovës, sikur janë sjellë ushtarët e tij në kampin e Guantenamos. Prandaj, Delawie të jetë shumë i kujdesshëm çka fol. Ka thanë se për ata që kanë iniciuar shfuqizimin e Gjykatës do të merren masa. Unë po i them Delawies se t’i nuk mund të marrësh masa asnjëherë, ti e ke të drejtën e diplomatit. Diplomatët te na shkojnë e vijnë për çdo ditë, e kryejnë detyrën prej diplomatit dhe mos t’i kalojë kompetencat e tij”, kishte thënë ai.

Lexo edhe: Haradinaj thotë se nuk do t’i kërkojë falje Delawies