Arbëri

Kryetari i Pejës i kërkon MASHT-it mbështetje për zgjerimin e infrastrukturës shkollore

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka vizituar sot Pejën dhe ka takuar kryetarin e saj, Gazmend Muhaxheri. Sipas njoftimit për media nga ky takim, ata kanë biseduar për thellimin e bashkëpunimit mes MAShT dhe komunës së Pejës në fushën e arsimit, me qëllim të ngritjes së cilësisë.

Po ashtu bëhet e ditur se ata biseduan edhe për përgatitjet dhe hapat që duhet të ndërmerren nga niveli qendror dhe ai lokal rreth Programit për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve - PISA 2018, pastaj rreth profilizimit të mësimdhënësve nga klasa I-V, reformës që po përkrahet edhe nga komuna e Pejës.

Ministri Bytyqi dhe kryetari Muhaxheri biseduan edhe për shkollat profesionale, programet e reja dhe mundësinë e bashkëpunimit me ndërmarrjet në mënyrë që të fuqizohet ky segment i arsimit dhe nxënësit të kenë mundësi të përgatiten edhe me anë të punës praktike krahas asaj teorike.

Kryetari Muhaxheri ka falënderuar Ministrin për vizitën dhe është shprehur i gatshëm që kjo komunë të japë kontributin e saj në të gjitha proceset e rëndësishme në arsim, ndërsa ka kërkuar mbështetje nga MAShT për zgjerimin e infrastrukturës shkollore.

Rreth kësaj çështje, ministri Bytyqi tha se zgjerimi i hapësirave shkollore është i nevojshëm kudo në Kosovë, pasi që është e nevojshme për realizimin e mësimit tërëditor.

I shoqëruar nga kryetari i Pejës, ministri Bytyqi më pas ka vizituar edhe Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët „Asdreni“ në këtë qytet, ku ka biseduar me mësimdhënësit dhe nxënësit rreth zbatimit të kurrikulës së re. Ndërsa, Ministri ka qëndruar edhe në një klasë të mësimit parashkollor për të parë nga afër zhvillimin e aktiviteteve në këtë nivel të arsimit.

{gallery}