Arbëri

Maqedonia e mbështetë Kosovën në UNESCO

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Maqedonisë, Hazbi Lika, tha se Maqedonia do të votojë në favor të anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, pavarësisht presioneve të vazhdueshme nga ana e Serbisë.

Lika, në një intervistë për televizionin publik, ka folur edhe për përgatitjet që po bëhen që të mbahet një mbledhje e përbashkët mes dy qeverive respektive, duke theksuar se do të ketë marrëveshje dhe thellim të raporteve dypalëshe.

Ai deklaroi gjithashtu se Qeveria maqedonase është duke planifikuar ndërtimin e autostradës deri në kufirin me Kosovën, në Hanin e Elezit.

Numri dy i ekzekutivit, tha se sa i përket kontestit të emrit me Greqinë, ende nuk ka një zgjidhje.

Hazbi Lika ka dhënë detaje edhe për avancimin e gjuhës shqipe në Maqedoni. Ai tha se vetëm për këtë vit janë ndarë mbi një milion euro për zbatimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve. Sipas tij, sfida kryesore do të jetë zbatimi i ligjit, sepse duhet të formohen dy mekanizma, Agjencia dhe Inspektorati, ndërsa kërkohet angazhim i shumë kuadrove. Për moszbatimin e ligjit do të shqiptohen edhe gjoba.

Lika potencoi se meritë për këtë hap të vonuar, por historik për shqiptarët, ka edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Ai tha se me avancimin e gjuhës shqipe, po zbatohet Marrëveshja e Ohrit, por e pranoi se ka mangësi në disa aspekte të tjera të saj, siç është punësimi I shqiptarëve në institucionet shtetërore.

Zv.kryeministri i Maqedonisë, foli edhe për zhvillimet në Kosovë, duke u ndalur te Gjykata Speciale. Ai, si ish-luftëtar i UÇK-së, tha se beson që drejtësia do të triumfojë, sepse lufta për liri ishte e pastër.

Gjithashtu, Hazbi Lika, si njëri ndër figurat kryesore të BDI-së, bëri komente edhe për polemikat rreth logos së përvjetorit të dhjetë të pavarësisë, që është e ngjashme me një logo të partisë së tij.

Ai tha se për këtë çështje vendosin organet drejtuese të partisë, nëse ka ndonjë ankesë eventuale.