Arbëri

Maksimoviq: Vrasja e Ivanoviqit krijon pasiguri te serbët në veri

Nenad Maksimoviq nga Qendra për Paqe dhe Tolerancë në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, ka thënë se vrasja e liderit të SDP-së, Oliver Ivanoviqit, mund të krijojë pasiguri te serbët në veri të Kosovës.

Derisa e ka kujtuar Ivanoviqin si njeri që ka mbrojtur qytetin e Mitrovicës, Maksimoviq ka thënë se “kjo është kohë e ngufatjes politike, kohë që kundërshton pluralizmin politik”.

“Kjo vrasje nuk duhet të mbetet e padënuar sepse me këtë është i rrezikuar çdo qytetar i lirë i Kosovës.

Duke folur për vrasjen e sotme të liderit të SDP-së, Maksimoviq ka përmendur edhe vrasjen e para katër vjetëve të kolegut të tij partiak, në ditën dhe muajin e njëjtë me vrasjen e Ivanoviqit, transmeton Koha.net.

“Ai është përpjekur për vlerat universale dhe kjo me gjasë i ka penguar dikujt. Ai, mendoj unë, duhet t’ju ketë penguar të gjitha palëve ekstremiste qofshin serbe ose shqiptare. Për fat të keq e gjithë Kosova nuk është e pastër nga mafia, kjo nuk është dukuri vetëm për Kosovën por për gjithë rajonin. Mafiozët kanë fuqi që të kontrollojnë çdo gjë, prandaj për fat të keq askush nuk është imun nga frikësimet dhe vrasjet e mundshme”, ka thënë Maksimoviq.

“A është kjo vrasje e bërë me qëllim të destabilitetit politik në kohën kur është shtuar retorika për dhe kundër Gjykatës Speciale mbetet për t’u parë. Është me rëndësi që të gjenden jo vetëm vrasësit por edhe porositësit eventual të vrasjes së Oliver Ivanoviqit”, ka shtuar ai.

Duke folur për rivalitetin politik ndërmjet Ivanoviqit dhe kryetarit të Mitrovicës veriore, Goran Rakiq, Maksimoviq ka thënë se ata kanë pasur rivalitet, por “te ne thuhet se për të ndjerin vetëm fjalë të mira”.

Maksimoviq ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi që u shty shkaku i vrasjes së Ivanoviqit. Sipas tij, çdo gjë që bëhet në Kosovë dhe Serbi është aktrim i politikanëve të Prishtinës dhe Beogradit. Maksimoviq është shprehur kundër ndërprerjes së dialogut dhe thotë se është investim në procesin e stabilitetit në rajon.

“Ka një hapësirë të madhe politike në Kosovë dhe kjo vrasje mund ta përmbush këtë vakum te të gjitha komunitetet në Kosovë. Kjo vrasje është porosi për serbët se ne mund të jemi shënjestër e ardhshme”, ka thënë Maksimoviq.

Maksimoviq mendon se politikisht nuk mund të përfitojë askush nga kjo vrasje dhe as “të viktimizuarit” që e duan këtë.

Sipas fjalëve të tij, humbja e Ivanoviqit do të lë zbrazëtirë politike opozitare në veri dhe për një kohë të gjatë nuk do të mund të gjendjet zëvendësi i tij.