Arbëri

Përmbledhje e KTV-së e reagimeve në Beograd për vrasjen e Ivanoviqit

Beogradi është shokuar me lajmin e vrasjes së Ivanoviqit, raporton KTV.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, ka folur me tone të ashpra, duke thënë se ky është akt terrorist, i cili nuk do të mbetet i pandëshkuar. Zv.kryeministri, Rasim Lajiq, ka qarë në një studio televizive, e opozita e ka lidhur pushtetin e Vuçiqit me vrasjen.

Vrasja në Mitrovicë e politikanit serb, Oliver Ivanoviq, e ka tronditur Serbinë.

Kundërshtari i tij politik, presidenti Aleksandar Vuçiq, e ka mbledhur menjëherë Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe ka dalë thellësisht i shqetësuar në konferencë shtypi, bashkë me kryeministren Ana Branabiq.

E ka quajtur akt terrorist dhe e ka kërcënuar Kosovën që të mos provojë dërgimin e trupave atje pas asaj që ka ndodhur.

Për më tepër, ka thënë se Serbia do të bëhet pjesë e hetimeve për vrasjen.

“Për shtetin e Serbisë, ky është një akt terrorist dhe do ta trajtojmë si të tillë. Kur them akt terrorist, do të thotë se autoritetet tona do të angazhohen për t’i nisur hetimet. Të gjitha organet tona, Ministria e Brendshme, shërbimi sekret dhe të tjerët do të angazhohen. U kemi kërkuar UNMIK-ut dhe EULEX-it që të bëhemi pjesë e hetimit për të zbuluar të vërtetën”.

Vuçiq ka goditur kundërshtarët politikë në opozitë, të cilët indirekt e kanë akuzuar pushtetin e tij me situatën e tensionuar në veri.

Lideri opozitar, Sasa Jankoviq, ka thënë se Serbia duhet të zgjohet, pasi që pushteti i Vuçiqit po hyn në fazën e fundit të autoritarizmit dhe se është obligim i të gjithëve të flitet për rrethanat e vrasjes tragjike.

Zv/kryeministri, Rasim Lajiq, që ka thënë se ka bashkëpunuar gjatë me Ivanoviqin, është emocionuar në një paraqitje televizive, duke thënë se Ivanoviq ka qenë më i sigurt në burg.

Sipas tij, Ivanoviq ka qenë politikani më i mirë serb në Kosovë, dhe që nuk ka qenë në sy të mirë as të serbëve e as të shqiptarëve, pasi që vazhdimisht është angazhuar për kompromis.

Shefi i Zyrës për Kosovën, Marko Gjuriq, ka thënë se ky ishte akt terrorist që duhet të ndëshkohet.

Lideri i SPO-së, Vuk Drashkoviq, ka thënë se vrasja e Ivanoviqit është terrorizëm politik, i bërë sipas modelit të shërbimeve sekrete të kohës së Milosheviqit nga vitet e 90-a.

Lideri i Liberal-demokratëve, Cedomir Jovanoviq, ka thënë se vrasja nuk duhet të ndikojë në vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ivanoviq garoi për kryetar të Mitrovicës Veriore vitin e kaluar, kundër Goran Rakiqit, të përkrahur nga presidenti serb, Vuçiq.