Arbëri

Trupi i pajetë i Ivanoviqit në selinë e partisë së tij

Pas obduksionit të bërë në qendrën mjekësore në veri të Mitrovicës, trupi i Oliver Ivanoviqit është dërguar në selinë e partisë, me ç’rast qytetarëve u është dhënë mundësia që të përshëndeten nga ai.

Menjëherë pas daljes së policisë në vend të ngjarjes, trupi i Oliver Ivanoviqit është dërguar në qendrën klinike spitalore në Mitrovicën Veriore.

Obduksionin e ka udhëhequr Suzana Matejiq në praninë e përfaqësuesve të EULEX-it dhe Institutit për mjekësinë ligjore nga Prishtina.

Pas obduksionit, trupi i Ivanoviqit është dërguar në hapësirat e partisë së tij Iniciativa Qytetare, Oliver Ivanoviq dhe është thënë se të mërkurën do të dërgohet në Beograd, ku do të varroset siç ka njoftuar familja.

Ndërkohë, mediat serbe kanë raportuar se edhe Prokuroria serbe për Krimin e Organizuar ka filluar një hetim, me ç’rast do të hetohen pistat për terrorizëm lidhur me vrasjen e Ivanoviqit.

Kjo prokurori e ka paraqitur kërkesën për mbledhjen e informatave të nevojshme në Ministrinë e Brendshme serbe dhe në Agjencinë për Siguri.

Në anën tjetër, situata në veri të Kosovës ndonëse ishte e qetë qytetarët ishin mjaft të shqetësuar. Të painteresuar për të folur para kamerës, qytetarët në pjesën veriore thanë se janë të zhgënjyer me këtë çfarë ndodhi, por edhe të frikësuar.

E, që vrasja e Ivanoviqit do të mund të shkaktojë ndjenjë të pasigurisë mes banorëve pohon edhe gazetari Zeljko Tvrdishiq, i cili jeton aty. Ai tha se shumë njerëz në Veri e kanë respektuar politikanin dhe janë tronditur nga vrasja e tij.

“Nuk dua të spekuloj se cila është prapavija e vrasjes, sepse as zyrtarë nuk e kanë thënë këtë. Por, besoj se Policia e Kosovës, EULEX-i dhe të tjerët do ta kryejnë punën mirë dhe do të kuptojmë kush qëndron pas vrasjeve brutale e që në Kosovë kishte shumë. Më duket se kjo vrasje tashmë pati efekt dhe negociatat në Bruksel qysh sot janë pezulluar. Druaj se kjo do të pasqyrohet edhe në këtë, edhe në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Prishtinës e Beogradit.”

Vrasja e Oliver Ivanoviq ngjalli reagime të shumta në Kosovë, Serbi dhe në Bashkimin Evropian.