Arbëri

Hoxha thotë se asistenca nga BE-ja duhet të fokusohet në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka thënë se asistenca nga Bashkimi Evropian si pjesë e Instrumentit të para-anëtarësimit (IPA) për vitet 2018 dhe 2019 duhet të fokusohet në fushat të cilat direkt kanë ndikim në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve.

Ajo ka theksuar se duhet fokusuar në sektorët: Sundimi i ligjit, të drejtat e njeriut, arsimi dhe punësimi.

“Me qëllim që të investohet më shumë në sektorët përkatës, në bashkëpunim me Zyrën e BE-së në Kosovë, përkrahen me vlerë 81.6 milionë euro, sektorët: Sundimi i ligjit dhe të drejtat fundamentale, Energjia, Mjedisi, Arsimi, punësimi dhe politikat sociale (me fokus në arsim). Përveç këtyre, do të ketë edhe përkrahje me projekte individuale, që konsiderohet se ndihmojnë në kuadër të demokracisë dhe qeverisjes”, theksoi ajo, sipas një njoftimi nga ministria.

Ndërsa, Hoxha ka shtuar se programi IPA 2019 do të ketë shumë të afërt me atë të vitit 2018 dhe do të vazhdojë përkrahjen për sektorët e njëjtë, duke shtuar bujqësinë, zhvillimin rural, konkurrueshmërinë dhe inovacionin.

“Ne presim që projektet të iniciohen sa më herët dhe ato që nuk miratohen në kuadër të IPA 2019, do të synojmë t’i përfshijmë në kuadër të IPA 2020, prandaj ftoheni që të prezantoni sot edhe ato propozime. Ministria e Integrimit do të ofrojë përkrahje për të gjitha institucionet në këtë proces por sigurisht se bashkëpunimi ndër-institucional është i domosdoshëm”, theksoi ajo Hoxha.