Arbëri

Lekaj zotohet se projektet që financohen nga BERZH-i do të kryhen me kohë

Descriptive Text

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka pritur në një takim pune delegacionin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), të kryesuar nga Donald Mishaxhiu dhe Julia Mackin.

Lekaj, sipas njoftimit nga kjo ministri, ka siguruar delegacionin se nuk do të lejojë vonesa të mëtejme në implementimin e projekteve ku financon BERZH-i.

“Ky takim u fokusua mbi modalitetet dhe veprimet që duhen ndërmarrë për shpronësimet e pronarëve formalë dhe joformalë, përgjatë traseve të rrugëve që do të ndërtohen, ndikimin socio-ekonomik tek pronarët, vënien e objektivave që duhen arritur si dhe vlerësimin e trafikut”, thuhet në njoftim.

Pikë kryesore e diskutimit ishte trajtimi i barabartë i pronarëve formal dhe jo formal si dhe dëgjimi publik për të gjitha këto kategori, ku të dyja palët u dakorduan që këto kategori të trajtohen të barabarta në vlerësimet paraprake dhe të bëhen konsultime me ta nëpërmjet debateve publike.

Nga ky takim u konkludua që të tri komponentet e ndikimit socio-ekonomik, të përfshihen në vendimin përfundimtar si dhe të vazhdohet tutje me implementimin e projekteve sa më parë që të jetë e mundur.