Arbëri

Maloku thotë se për vrasjen e Binishit dhe Hoxhës mori vesh nga fshatarët e Bellanicës

Naim Maloku ka përfunduar dëshminë e tij në rastin kundër Fatmir Limajt.

Maloku, tha së për vrasjen e Selman Binishit e Ramiz Hoxhës, kishte marrë vesh në një takim që ishte mbajtur në fshatin Bellanicë, me banorët e këtij fshati, gjatë kohës kur po bëhej ristrukturimi i Shtabit të Përgjithshëm, raporton KTV.

Sipas Malokut, dikush nga familjarët në këtë takim kishte marrë fjalën dhe kishte ngritur dyshimet se Binishi e Hoxha, ishin vrarë nga UCK-ja.

“Ju kam thënë se kush ka me mbet gjallë nuk e di, por Kosova do të lirohet, dhe mbajeni mend që nuk ka me mbet kurrgjë pa u zbuluar” ka thënë Maloku.

Ai ka konfirmuar se kishte takuar edhe një prej familjarëve të Ramiz Hoxhës, në vitin 2000, të cilin e kishte udhëzuar që t’u drejtohej gjykatave. Maloku, ishte i plagosur rëndë në korrikun e vitit 1998, sa ishte zëvendëskomandant i nënzonës operative Reka e keqe, Junik. Pas Malokut, dëshminë është duke e dhënë Sokol Dobruna, ish-udhëheqës i shërbimit juridik brenda shtabit, më pas, udhëheqës i Gjykatës Ushtarake të UÇK-së.