Arbëri

Flet doktori që u përkujdes për Mustafën javën e fundit

Visar Berisha, doktori që u përkujdes për ish-kryeministrin, njëherësh kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, gjatë qëndrimit të tij për kurim në Spitalin Amerikan, ka bërë një përmbledhje të gjendjes së tij shëndetësore.

Berisha, përmes një statusi në Facebook, ka thënë se gjatë kësaj jave sa është përkujdesur për të, “Kryetari Mustafa kishte dhe ka një forcë dhe vullnet të pa shpjegueshëm me u përballë me një rëndesë shëndetësore siç ishte kjo. Duhet me ia dhanë hakun”.

“Çka ndodhi? Kurrsend ma shumë e as më pak se një komplikim i një gripi sezonal, i cili u shpërfaq me mpirje gjymtyrësh, me çka u prek sensibiliteti. Me marrjen e terapisë menjëherë u treguan shenja të hershme të përmirësimit dhe stabilitetit. Kryetari Mustafa sot është lëshuar nga spitali pasi qëndrimi aty ishte më i panevojshëm. Përgjigja në terapi ishte e shpejtë dhe e mirë. Kaq. S’ka më asnjë trajtim specifik e as simptomatik. Rezultati i kërkuar është arritur”, ka thënë Berisha, raporton Koha.net.

Ai thotë se tashmë ka mbetur vetëm faza përmbyllëse e që, sipas tij, është rehabilitimi fizikal në mënyrë që sesibiliteti të marrë formën e mëhershme. “Kjo do duresë dhe aktivitet intensiv fizikal”, thotë Berisha.

Doktori që u përkujdes për Mustafën këtë javë, heq dilemat se gjendja shëndetësore e kreut të LDK-së është e rënduar.

“Duhet sqaruar mirë se Kryetari Mustafa gëzon shëndet të plotë (për t’u lakmuar) mendor e intelektual. Kjo gjendje gripoze dhe komplikimi që ka ardhur nuk prek e as nuk ka prekur asnjë aftësi mendore a intelektuale. Pikë”, theksoi ai.

Në fund, ai tha se çdo përpjekje tjetër me u përfshi në vallen e spekulimit “nuk ka me dhënë të vërtetën por shtrembërimin”.