Arbëri

Ruecker konsiderohej “ish-monark i Kosovës”, e pati falë Lushtakun nga burgimi

Descriptive Text

Shefi i diplomacisë kosovare, Behgjet Pacolli, që takoi sot ish-Përfaqësuesin Special të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, ambasadorin gjerman, Joachim Ruecker, ia njohu atij kontributin, siç tha ai, jashtëzakonisht të rëndësishëm para dhe pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

“Ai, vërtet ishte dhe mbeti një mbështetës i madh i Kosovës dhe popullit të saj në rrugëtimin dhe vullnetin drejt konsolidimit të shtetit. Kosova është e bekuar me miq ndërkombëtarë si diplomati Ruecker”, shkruan Pacolli në Facebook, raporton Koha.net.

Ndër të tjera, Ruecker, si kryeadministrator i Kosovës, kishte marrë edhe epitetin “monark i Kosovës”. Kështu i kishte thënë Hajredin Kuçi, ish-zëvendëskryeministër i Kosovës, që arsyetonte një vendim të tij për ta liruar nga burgu ish-kryetarin e Skenderajt, Sami Lushtaku.

KTV-ja kishte raportuar në prill të 2011-ës për këtë. Televizioni kishte publikuar vendimin e Joachim Ruckerit, i cili më 14 qershor 2008, një ditë para se hyjë në fuqi Kushtetua e Kosovës, i fali lirinë kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtakut.

Në një tjetër raport, KTV-ja kishte treguar se Sami Lushtaku jo vetëm që shkonte çdo mëngjes në zyrën e tij të kryetarit të Skenderajt, me siguri duke falënderuar përjetë Joachim Rueckerin për lirinë që e gëzoi para kohe, por edhe pse kjo ia mundësoi rikandidimin për të partin e qytetit.

Ish-shefi gjerman i UNMIK-ut e ka penguar zbatimin e dënimit prej 5 dhe 6 muajsh, gjithsej 11, ndaj kryetarit të Skënderajt. Ai kishte marrë një vendim ekzekutiv për të pamundësuar hyrjen në fuqi të aktgjykimit të Gjykatës së Qarkut në Mitrovicë që kishte revokuar pezullimin e dënimit prej 11 muajsh burgim për të, duke e ditur se mbajtja e dënimit për më shumë se 6 muaj ia pamundësonte mbajtjen e postit të të parit të Skënderajt.

Në vendimin që e kishte siguruar KTV-ja, Ruecker thotë se: “Duke marrë parasysh se pamundësia e ushtrimit të detyrës së kryetarit nga Lushtaku do të ishte e ndjeshmërisë së lartë politike dhe në kundërshtim me interesin publik; Duke marrë parasysh se dënimi i mundëson Lushtakut të ankohet; Duke marrë parasysh se ankesa sipas Procedurës Penale të Kosovës, nuk e pezullon hyrjen në fuqi të dënimit; Me qëllim të shtyrjes së përkohshme të plotfuqishmërisë dhe të efekteve juridike, në pritje të parashtrimit të ankesës; PSSP-ja merr vendimin si vijon: Përjashtimisht, dhe duke marrë parasysh pozitën e zotit Lushtaku si Kryetar i zgjedhur dhe duke i marrë parasysh rrethanat e veçanta në të cilën gjendet Kosova në këtë kohë, ankesa e zotit Lushtaku kundër aktgjykimit të datës 4 qershor 2008 të Gjykatës së Qarkut në Mitrovicë, përkohësisht do ta pezullojë hyrjen në fuqi të dënimit, derisa të mos jetë vendosur për vetë ankesën”.

Vendimi është nënshkruar më 14 qershor 2008, vetëm një ditë para hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe pak kohë (tre muaj) pasi që ajo ishte miratuar në Kuvend.

Trajtimi jo i barabartë para ligjit i Sami Lushtakut ka bërë që ai të vazhdojë punën si kryetar i Skenderajt. Nëse do të mbante dënimin prej 11 muajsh, siç kishte vendosur Gjykata e Qarkut, atij do t’i ndërpritej menjëherë mandati dhe Skenderaj do të shkonte në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës atëbotë kishte arsyetuar vendimin ekzekutiv të ish-shefit të UNMIK-ut për lirimin e Lushtakut për faktin se Ruecker kishte fuqi mbi të gjitha institucionet. Pavarësisht se vendimi u mor 4 muaj pas shpalljes së pavarësisë, për Hajredin Kuçin kjo nuk përbën problem dhe e quan Joachim Rueckerin, ish-monark i Kosovës. Ai kishte shtuar se nga të dhënat që ka, rezulton se vendimi i Rueckerit u konfirmua dy muaj më pas nga paneli për lirimin me kusht që ka pasur përbërje ndërkombëtare e vendase.

Lushtaku kishte refuzuar të komentojë këtë gjë për Kohavisionin.