Arbëri

Kabineti i Haradinajt nuk deklarohet rreth akuzave të Mehmetit

KTV-ja ka kontaktuar me zyrtarë të kabinetit të kryeministrit Ramush Haradinaj rreth komenteve të Shkumbin Mehmetit, por zyra e tij ka thënë se nuk ka çfarë t’i shtojë atyre që kryeministri i ka thënë për këtë çështje javën e kaluar.

“Besoj e keni parë deklaratën e kryeministrit Haradinaj pas mbledhjes së Qeverisë javën e kaluar dhe nuk kemi diçka tjetër për të thënë rreth kësaj tani për tani. Nesër është ditë pune dhe të shohim nëse ka diçka”, ka thënë Donjeta Gashi, zëdhënëse në Qeverinë e Kosovës.

Rreth deklaratave të para të Mehmetit, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj pas mbledhjes së Qeverisë së 12 janarit, ishte shprehur i habitur me këtë mënyrë të komunikimit ndonëse siç tha nuk e ka parë intervistën.

“Një person nga burgu me dhanë interviste është e çuditshme. Të gjitha deklaratat ishin dashur me qenë materie e prokurorëve dhe gjyqtarëve jo me u na spektakël medial. Unë se kam parë intervistën por dëgjova komente e reagime dhe jam habit”, tha kryeministri Haradinaj.

Ndërkohë i dënuari me burgim për vrasjen e dy policëve të UNMIK-ut, Shkumbin Mehmeti, ka reaguar edhe ndaj Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Ky institucion ka thënë të shtunën se ka qenë në kontakt me këtë dëshmitar por që ai vazhdimisht ka kushtëzuar dëshminë, duke kërkuar që Prokuroria, paraprakisht të ndikojë në prishjen e aktgjykimit të plotfuqishëm.

Mehmeti thotë se gjatë kontaktit të tij me Prokurorinë ka kërkuar rigjykim dhe aplikim të ligjit i cili do të ishte më i favorshëm për të. Ai ndërkaq ka vazhduar akuzat veçanërisht ndaj kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

“E them me përgjegjësi penale dhe morale se vendimet e Gjykatës Supreme janë ndikuar direkt nga bandat e Ramush Haradinajt, është fakt se dy ditë pasi është zgjedhur kryeministër Haradinaj, Gjykata Supreme e Kosovës me vendim të jashtëligjshëm e ka liruar nga burgu Faik Shaqirin, i cili ka një aktakuzë të ngritur për vrasjen e policëve, për të cilët unë jam dënuar dhe është njëri nga vrasësit e Sebahate Tolajt dhe Tahir Zemajt”, ka shkruar Mehmeti.