Arbëri

Rritjen e Vetëvendosjes Krasniqi ia atribuon Ymerit e Molliqajt

Pjesën më të madhe të rritjes së “Vetëvendosjes!”, ish-deputeti nga kjo parti, Florin Krasniqi ia atribuon Visar Ymerit e Dardan Molliqajt.

“Mirë që ka dalë Albini në terren, kam dal edhe unë, por fitorja e VV-së dyfishimi i saj është si rezultat i punës së kryetarit dhe sekretarit organizativ”, ka thënë Krasniqi në “Rubikon” të KTV-së.

“Krediti kryesor për rritjen e VV-së është te Visar Ymeri kryetar dhe Dardan Molliqaj sekretar. Qysh bie përgjegjësia për ta nëse humb partia, njëjtë edhe rritja. Mirë që ka dal Albini në terren mirëpo krediti kryesor është te Dardan Molliqaj dhe Visar Ymeri. Me qenë sekretar organizativ i VV-së është zor, nuk është njëjtë si e partive tjera që kanë para mjaftueshëm”, ka thënë ai.

E fjalën e shkruar nga Aida Dërguti që u pa si shkas i fillimit të krizës brenda këtij subjekti, biseda në viber mes GP të VV-së, sipas tij, nuk ishte fyerje.

“Unë e njoh Aidën dhe ajo nuk mund të fyej. Nuk e ka fyer. Me atë emër të cilin e ka quajtur Aida Albinin unë i kam quajtur njerëzit e afërm shumë herë, nuk është fyerje, nuk e kam parë ashtu. Krejt kjo është pjesë e politik-bërjes. Prapë po them që unë nuk shoh problem serioz në VV. Nuk ndodh ndarja por në qoftë se ndodh, atëherë duhet të tregojmë pse po ndahemi jo vetëm pse po na teket”, ka thënë ai.

Krasniqi është optimist se zgjidhja brenda VV-së do të ndodhë shumë shpejt duke iu referuar mbledhjes së të hënës.