Arbëri

Bytyqi kërkon rritje të bursave për studentët

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka deklaruar se shqetësimi i studentëve për vendimin për ulje të bursave është i bazuar dhe as ai vetë nuk pajtohet me këtë vendim.

Ai thotë se në takimin që ka pasur ditë më parë me Këshillin Drejtues të UP-së ka kërkuar që bursat e studentëve të jenë më të larta.

“Shqetësimi juaj rreth bursave është plotësisht i bazuar, dhe për këtë kam kërkuar nga Këshilli Drejtues i UP’së, që bursat e studentëve të jenë më të larta, në mënyrë që të ofrojmë mundësi dhe kushte që studentët tanë të ndjehen më komod gjatë shkollimit të lartë, dhe ky të jetë një motiv shtesë për këta studentë elitarë”, ka shkruar ai në një letër drejtuar studentëve.

Bytyqi ka shprehur bindjen se në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Drejtues të UP-së të merret vendim për rritjen e bursave për studentët.

Këshilli Drejtues kohë më parë vendosi që të ulë bursat prej 900 euro në 500 euro dhe kjo nxiti reagim të studentëve. Disa organizata studentore kanë paralajmëruar se nëse nuk merret vendim për kthim të bursës siç ka qenë, do të dalin edhe në protesta.