Arbëri

Osmani: Çështja e demarkacionit shkon të hënën në Kuvend

Vjosa Osmani, kryetare e Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme nga Lidhja Demokratike e Kosovës, thotë se demarkacioni me Malin e Zi do të shkojë në Kuvend të hënën e 15 janarit.

“Unë besoj që me 15 janar do të shkojmë me atë opsion. Natyrisht që ne përsëri do të propozojmë meqenëse një sërë çështjesh kanë mbetur të pa zgjidhura, pa përgjigje. Përsëri para vetes kemi vetëm një raport preliminar dhe jo përfundimtar”, tha Osmani për televizionin Dukagjini.

Thotë se në seancë nuk do të kërkohet votimi pro ose kundër por kjo do t’u lihet në vullnet 120 deputetëve të Kuvendit.

“Ne jemi politikanë, nuk jemi prokurorë që determinojmë nëse pretendimet për falsifikim të bëra nga komisioni i ri janë të sakta apo jo. Do t’ia lëmë këtë secilit deputet së paku kështu mendoj që duhet të jetë dhe të mos i rekomandojmë seancës që të votojë për apo kundër por thjesht të procedohet për shqyrtim dhe le të jetë pastaj në vullnetin e deputetëve”, theksoi deputetja Osmani.

Muajin e kaluar, qeveria e Kosovës ka miratuar raportin e komisionit të ri për shënimin e kufirit me Malin e Zi, si dhe marrëveshjen e nënshkruar të vitit 2015, për shqyrtim të mëtutjeshëm në Kuvend.