Arbëri

Veteranët e UÇK-së kritikojnë Veselin për Specialen, thonë se vendi mund të shkojë në zgjedhje

Përfaqësuesit e Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, janë kritikë ndaj kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli për zvarritje të thirrjes së seancës së jashtëzakonshme, për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

Sekretari i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Faton Klinaku tha për Radio Kosovën se kryetari i Kuvendit nuk duhet të bëjë shkelje kushtetuese, sepse seanca e jashtëzakonshme parashihet edhe me Rregulloren e Kuvendit.

“Ai sa merret me kolumne, duhet ta thërras sa më parë seancën e jashtëzakonshme dhe të futet në rend dite ajo që e kemi iniciuar ne me peticion dhe ajo që e kanë nënshkruar deputetët e Kuvendit të Kosovës”, tha Klinaku.

Klinaku thotë se kjo vonesë e thirrjes së seancës së jashtëzakonshme për shfuqizimin e Gjykatës Speciale po ndodhë për shkak të presionit ndërkombëtar. Por thotë se kërkesa është e bazuar në rregullore dhe ne Kushtetutë, andaj nuk mund të zvarritet mbajtja e seancës.

“Nëse nuk i respektojnë rregullat, nëse nuk e respektojnë Kushtetutën, atëherë është mirë që të shpërndahet Kuvendi dhe të shkohet në zgjedhje, sepse nuk mund të ndërhyjë as faktori ndërkombëtar për ta shkelur Kushtetutën t’i detyrojë politikanët tanë që për mendimit tonë janë servilë ndaj bashkësisë ndërkombëtare dhe i bëjnë vetëm dëme popullit”, tha Klinaku.

Një ditë më parë, kryeparlamentari Kadri Veseli përmes një letre kritikoi dy partitë opozitare, Vetëvendosjen e LDK-në, që munguan me 22 dhjetor në mbledhjen e Kryesisë kur pritej të thirrej seanca për miratimin e Ligjit për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

Veseli ka thënë se Gjykata Speciale është e dëmshme për Kosovën, por ajo do të ndodhë sepse Kosova nuk ka fuqi ta shfuqizojë atë. Për letrën e Veselit foli edhe kryeministri Ramush Haradinaj.

“E kam lexuar letrën e kryetarit Veseli, nuk kam ndonjë koment në këtë letër. Ju e dini qëndrimin tim dhe të Aleancës, atëherë kur ka qenë kemi votuar kundër, sot po të vijë votojmë kundër, nesër kundër. Ne e respektojmë iniciativën e deputetëve sido që të jetë”, tha Haradinaj.

Gjatë dhjetorit nën organizimin e veteranëve të UÇK-së, u mblodhën 15 mijë nënshkrime, e pas kësaj, më 22 dhjetor me nënshkrimet e 43 deputetëve u kërkua seanca e jashtëzakonshme për shfuqizimin e Gjykatës Speciale. Por kjo seancë nuk u mbajt, pasi kryesia nuk kishte kuorum për ta caktuar seancën, pasi mbledhja u bojkotua nga LDK-ja dhe Vetëvendosje.

Ndërkohë, faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje në vazhdimësi që të hiqet dorë nga nisma për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.