Arbëri

MTI-ja ia rimerr Doganës të drejtën e kontrollit të naftës

Vitin e kaluar, kontrolli për cilësinë e naftës në kufi ka kaluar tek Dogana e Kosovës. Sipas të dhënave të kësaj të fundit, vitin që lamë pas nga 1100 kontrolle të naftës, 10 prej tyre kanë dalë të jenë jashtë parametrave të lejuar, e më së shumti tek pika e ndezjes.

Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganës, theksoi se raporti për vitin 2017 tregon që Dogana ka marrë mostra dhe ka ushtruar kontroll në 1100 raste.

“Fatmirësisht një pjesë e madhe e tyre, 97 % kanë dalë konform rezultateve brenda parametrave të kërkuar me udhëzim derisa vetëm 10 maune apo 10 autobote nuk i kanë plotësuar kriteret e parapara me udhëzim dhe të gjitha janë kthyer mbrapa”, tha ai, raporton televizioni publik.

Por, e njëjta ministri që ia kishte dhënë Doganës kompetencën për të kontrolluar cilësinë e naftës në kufi, e njëjta do t’ia marrë sërish. Këtë e ka pohuar ministri i Tregtisë, Bajram Hasani.

Ai tha se Dogana ka një sistem me rotacion për kontrollin e autoboteve të naftës, por se, sipas tij, është një numër i vogël i tyre që kontrollohen, diku rreth 3 për qind.

“Për këtë jemi edhe duke bërë përgatitjet, jemi duke bërë një koncept dokument që ndoshta edhe të bëjmë një ridizajnim të kontrollit së naftës, të kalojë në kompetencën e Ministrisë së Tregtisë. Ne jemi të gatshëm që t’i marrim ato përgjegjësi po natyrisht konform ligjit, e për këtë kemi bërë një grup punues”, tha ai.

Ministri Hasani thekoi se janë në pritje të rekomandimeve të këtij grupi punues për të parë se si të veprohet pastaj me trupa inspektuese dhe kontrollin e importit të naftës.