Arbëri

SBASHK-u përgatitet për grevë

SBASHK-u ka nisur mobilizimin për të shkuar deri në fund me kërkesat e tyre ndaj qeverisë së Kosovës.

Përfaqësues të kësaj sindikate kanë takuar sot udhëheqës të shoqatave sindikale brenda Komunës së Prishtinës. Atyre u është kërkuar që në shkollat në të cilat drejtojnë t’u ofrohet mësimdhënësve formulari për aprovimin e shkuarjes në grevë në rast të mos realizmit te kërkesave të tyre, raporton KTV.

Kërkesat e paraqitura në formular ndër të tjera janë edhe rritja e pagës prej 4 për qind të pagës së kryeministrit si dhe zbatim të Ligjit të Sigurimit Shëndetësor të cilin Kuvendi i Kosovës e pati aprovuar në vitin 2014.

Gjersa mësimdhënësit mobilizoheshin, në anën tjetër kryeministri i vendit kishte pranuar në takim një delegacion të BSPK-së përfshirë edhe kryetarin e SBASHK-ut Rrahman Jashari.

Në komunikatën e lëshuar nga zyra e kryeministrit thuhet se kryeministri u ka premtuar se do të jenë në dialog të vazhdueshëm me BSPK-në dhe se kërkesat e tyre do të trajtohen me kujdesin maksimal, gjithnjë konform kapaciteteve buxhetore.

Në komunikatë thuhet se qeveria është e përkushtuar që të jetë në funksion të të drejtave të gjithë punëtorëve dhe sindikalistëve të BSPK-së.