Arbëri

Kosova s’ka kapacitete të themelojë gjykatë për krime lufte

Shfuqizimi eventual i Ligjit për Gjykatën Speciale, besohet se do t’i hapte rrugë krijimit të një gjykate vendore, pavarësisht dilemave nëse Kosova ka kapacitete të mjaftueshme.

Nisma e një grupi të deputetëve në Kuvendin e Kosovës në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, ende nuk ka zënë vend në agjendat e institucioneve shtetërore. Por, në bazë të deklaratave të disa prej nënshkruesve, nisma mbetet në fuqi dhe mund të aktualizohet, në kohën kur Kuvendi fillon sesionin pranveror të punës.

Ministri i Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Abelard Tahiri, thotë për Radion Evropa e Lirë se iniciativa e deputetëve, aktualisht nuk është duke vazhduar.

Ai ka thënë, po ashtu, se Ligji për Gjykatën Speciale vazhdon të jetë në fuqi që nga miratimi në vitin 2015, i cili kishte pasuar edhe me disa ndryshime të nevojshme kushtetuese.

E, nëse ndodh shfuqizimi i kësaj gjykate, ministri Tahiri thotë se do t’i kryejnë të gjitha obligimet që i takojnë.

“Çfarëdo ndryshimi i këtij ligji, ne, si Qeveri e Republikës së Kosovës dhe të gjitha institucionet, jemi të obliguar që ta zbatojmë dhe jemi në pritje se çfarë do të ndodhë në ditët në vijim, nëse do të jetë pjesë e agjendës së Kuvendit apo jo”, ka thënë ministri Tahiri.

Një alternativë tjetër e Gjykatës Speciale, nëse ajo shfuqizohet, mbetet edhe krijimi i një gjykate nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara.

Për krijimin e një gjykate të tillë nga Këshilli i Sigurimit, ministri Tahiri ka thënë se nuk kanë ndonjë qëndrim zyrtar si Qeveri e Kosovës.

Ndërkaq, pjesëtarë të shoqërisë civile, iniciativën e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, e shohin si aventurë të rrezikshme që rrezikon të ardhmen e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë për Radion Evropa e Lirë se themeli i një gjykate me seli në Kosovë që do të gjykonte krimet e luftës, bie në kundërshtim me obligimet ndërkombëtare që Kosova ka marrë në raport me Bashkimin Evropian dhe shtetin e Holandës.

“Ne nuk duhet të harrojmë faktin që Gjykata Speciale, tanimë është në fazën e fundit të funksionalizimit të saj. Nuk duhet harruar fakti se janë shpenzuar me dhjetëra milionë euro për funksionalizimin e kësaj gjykate, andaj edhe për Kosovën do të jetë shumë e vështirë apo një mision i pamundshëm që të themelojë një gjykatë të tillë në Kosovë”, konsideron Miftaraj.

Kurse, në lidhje me opsionin e krijimit të një gjykate nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Miftaraj thotë se pasojat në këtë rast do të ishin të parikuperueshme.

Ai shton se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë deklaruar publikisht se nuk do ta pengojnë themelimin e kësaj gjykate nëse iniciohet nga Rusia në Këshillin e Sigurimit, e ku rol të madh do të kishin Rusia dhe Serbia, por edhe shtete të tjera që janë kundër shtetësisë së Kosovës.

Sipas tij, me këtë Kosova do të tregonte se nuk është e gatshme të marrë obligime ndërkombëtare dhe kjo do të ndikonte që shteti i Kosovës të pengohej gjatë anëtarësimit në organizata të ndryshme.

Ndryshe, deputetët e Kuvendit të Kosovës, në fund të dhjetorit tentuan zhbërjen e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale, ligj të cilin e votuan në vitin 2015. Nisma e tyre, u “pezullua” përkohësisht pas presioneve ndërkombëtare. Ndërkaq, në fillim të vitit 2018, disa nga nismëtarët e kësaj ideje, kanë deklaruar se nisma për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale do të rikthehet në Kuvend.

Gjykata Speciale për krime lufte në Kosovë pritet të hetojë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që siç thuhet, ‘i kanë kryer ndaj pjesëtarëve të komuniteteve pakicë dhe kundërshtarëve politikë nga viti 1998 e deri në fund të vitit 2000’, siç e ka përshkruar në raportin e tij për Këshillin Evropian senatori Dick Marty.