Arbëri

“The Times”: Bunkerët e “xhaxhit”, fabrika kanabisi në Shqipëri

Descriptive Text

Prestigjiozja “The Times” i ka kushtuar Shqipërisë dhe problemit të saj me kanabisin një artikull të gjatë.

Pasi shkroi për çështjen Habilaj dhe gangsterët shqiptarë, gazeta shkruan edhe për fabrikat e kanabisit në këtë vend.

Në një shteg me baltë në dalje të Tiranës qëndron një bunker i betonit, një nga mijëra tjerë të ndërtuar nga Enver Hoxha, diktatori komunist, për t’u mbrojtur nga pushtimi.

Bunkeri, i madh sa dy fusha tenisi, ishte i harruar dhe i mbuluar me mana të egër deri vitin e kaluar, kur një bandë e përvetësoi për ta përdorur atë si strehimore për të tharë marihuanën që e mbillnin afër strukturës, pavarësisë prezencës së një baze ushtarake, transmeton Koha.net.

Biznesi mund t’u kishte lulëzuar pesë vjet më parë, por policia ndërmori një aksion të gjerë kundër drogës. Tetë anëtarë të bandës u arrestuan në muajin tetor të vitit të kaluar dhe u sekuestruan 180kg kanabis.

Aroma nga gjethet mbeti në ajër por kjo nuk ishte asgjë në krahasim me erërat pothuajse mbizotëruese të marihuanës në ndalesën e radhës.

Në një depo mes fushave, më larg Tiranës, afër një kështjelle osmane, autoritetet po grumbullojnë thasë me drogë të sekuestruar për t’u përdorur si dëshmi në gjykatë.

Kur policia hapi derën e metaltë, përmes derës kaloi një aromë neveritëse nga 20 ton marihuanë e tharë e mbledhur nëpër thasë plastike.

“Duhet ta mbajmë të ventiluar përndryshe rojat do të ndikohen nga era”, ka thënë Josif Shtembari, polic, derisa kolegët e tij po e nxirnin drogën nga depoja.

Ndërtesa me tulla është një prej pesë qendrave të magazinimit përreth Tiranës, që së bashku mbajnë 100 ton dëshmi të kultivimit masiv të marihuanës në mbarë Shqipërinë që nisi pas rënies së regjimit komunist.

Qeveria synon të zhduk kultivimin e saj këtë vit por Policia frikësohet se ulja e furnizimit do t’i ngrit çmimet, e që mund t’i nxis fermerët të vazhdojnë të mbjellin.

“Njerëzit janë shumë kreativë”, thotë Julian Hodaj, zëvendësministër i Brendshëm. “Për t’i ikur syrit të publikut ata mund të shkojnë edhe nën tokë, prandaj ne po i vëzhgojmë edhe shitjet e llambave dhe po i monitorojmë rritjet e shfrytëzimit të energjisë nga fabrikat”.