Arbëri

Pacolli flet për të dorëhequrit nga Kryesia, thotë se duan ta ndryshojnë Lëvizjen

Dorëheqjeve të fundit nga Kryesia e Lëvizjes Vetëvendosje, u është përgjigjur edhe deputetja Fitore Pacolli.

Ka përmendur momentet kur ata me ngulm donin që problemet e fundit të diskutoheshin vetëm kur Albin Kurti të dalë nga burgu, por ata u përgjigjën me dorëheqje.

Pacolli përmes një statusi në Facebook, ka thënë se këta individë duan ta ndryshojnë Lëvizjen e cila u kërkonte aktivistëve të ishin të lirë të shprehnin mendimin e tyre, të zëshëm kundër padrejtësive e të gatshëm për çdo sfidë, në Lëvizje e cila e kontrollon dhe e ndalon fjalën dhe mendimin e lirë të aktivistit politik.

Ka ftuar të gjithë ata që e ndjejnë vetën se kanë ide ndryshe, të kandidojnë për kryetar partie e të shpalosin idetë e platformën e tyre.

Kërkesë të njëjtë pati edhe Albin Kurti dje, i cili gjithashtu ftoi ata që dhanë dorëheqje nga Kryesia të kthehen, pasi ai nuk mban inat me askënd.

Postimi i plotë i Fitore Pacollit në Facebook:

Bënë shumë zhurmë. Thanë se kanë ide ndryshe, mendime dhe metoda të ndryshme për rrugën të cilën duhet ndjekur Lëvizja Vetëvendosje në të ardhmen. Bënë aq shumë zullum e presion mbi aktivistë se qenkan linçuar dhe paska pasur tendencë t’i likuidojnë politikisht pikërisht sepse paskan menduar ndryshe. Thanë se ishin për një Lëvizje ndryshe më demokratike dhe më të drejtë. Lëvizja, ku vetë ata ishin drejtues të të gjithave strukturave udhëheqëse, ishte bërë autoritare.

Përderisa kushtëzonin me dorëheqje nëse Albini kandidon për kryetar të Lëvizjes kërkonin me ngulm që të gjitha të ‘këqijat’ që u ishin bërë të diskutoheshin vetëm kur të del Albini nga burgu. Kështu tentonin të bllokonin të gjitha mundësitë për diskutim në organet brenda Lëvizjes.

Ne që insistonim të diskutonim rreth situatës në organet e Lëvizjes na thonin se çfarë zori keni të filloni diskutimin pa Albinin, ndërsa vet vajtën dhe u rrëfyen nëpër emisione televizive.

Kërkuan nga aktivistët dhe përkrahësit e Lëvizjes të mos shkruajnë nëpër rrjetet sociale duke tentuar të ndalnin aktivistët politik të shprehnin lirshëm mendimin e tyre.

Kur Albini u lirua dhe u tregua i hapur që të diskutoj me secilin për çfarëdo çështje filluan dorëheqjet.

Ndonëse asnjëherë nuk treguan se cilat ishin idetë e tyre, metoda apo rruga që duhet të ndjekte Lëvizja, me veprimet e tyre bën që secili qytetarë t’i kuptoj.

Tani u kuptua se ata tentuan të bënin Lëvizjen më ndryshe, shumë më ndryshe nga ajo që kemi sot.

Nga Lëvizja e cila u kërkonte aktivistëve të ishin të lirë të shprehnin mendimin e tyre, të zëshëm kundër padrejtësive e të gatshëm për çdo sfidë, në Lëvizje e cila e kontrollon dhe e ndalon fjalën dhe mendimin e lirë të aktivistit politik.

Nga Lëvizja në të cilën ka të drejtë secili anëtarë të kandidoj për kryetar apo poste tjera udhëheqëse duke krijuar hapësirë për garë demorkatike, në Lëvizje ku një grup i vogël kushtëzon dhe ndalon cilindo anëtar që në të ardhmen synon të garoj.

Nga Lëvizja e cila debaton çdo çështje brenda strukturave të zgjedhura siç është Këshilli i Përgjithshëm, në Lëvizje e cila vendos dhe diskuton çështje vetëm në grupe të vogla, ku të drejtë diskutimi do të kishin vetëm ata që i binden kushteve të dy apo tre personave.

...

Ne aktivistët dhe ju të gjithë mbështetësit e Lëvizjes Vetëvendosje! e kemi për detyrë t’a mbrojmë Lëvizjen e vetme që ka populli jonë. Lëvizja ka qenë shembull në Kosovë dhe duhet të vazhdoj të jetë shembull i demokracisë, barazisë e drejtësisë.

Cilido anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje i/e cili/a ka ide apo mendim ndryshe le të kandidoj. Të shpalos platformën e tij/saj politike tek anëtarësia.

Gara e lirë dhe e sinqertë mes dy apo më shumë kandidatëve është demokratike, kushtëzimet janë metoda të sistemeve autokratike.