Arbëri

Liberalizimi, pasi të ratifikohet demarkacioni dhe të krijohet regjistri efikas kundër korrupsionit

Bashkimi Evropian nuk do të vihet në veprim sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën, përderisa kjo e fundit nuk përmbush dy kriteret e mbetura, ka thënë ambasadori i Hungarisë në Prishtinë, László Márkusz.

Në vitin 2014-2015, shteti që përfaqëson Márkusz, ka shërbyer si pikë transiti për rreth 2 milionë emigrantë ilegalë, në mesin e tyre edhe shumë kosovarë, shkruan sot Koha Ditore.

Me gjithë frikën brenda shteteve anëtare të Bashkimit Evropian për një fluks tjetër azilantësh nga Kosova, kur të liberalizohen vizat, ambasadori hungarez thotë se kjo nuk e ndalon BE-në që t’i hapë kufijtë edhe për Kosovën, nëse kjo e fundit ratifikon demarkacionin dhe krijon një regjistër efikas në luftën kundër korrupsionit.

Sa i përket iniciativës së presidentit Hashim Thaçi për avancimin e FSK-së në ushtri, László Márkusz ka thënë se janë në një vijë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që kanë kundërshtuar transformimin e FSK-së përmes ndryshimeve ligjore. Sipas tij, veprimet e njëanshme në përgjithësi nuk janë të mira, veçanërisht në ditët e sotme, kur ka tensionime të situatës.

Në intervistën dhënë “Kohës Ditore”, Márkusz ka folur edhe për nevojën e vazhdimit të dialogut me Serbinë, mundësinë që Hungaria t’ia kalojë në menaxhim Kosovës hapësirën e lartë ajrore, si dhe ofertën e shtetit hungarez për stadiumin kombëtar të Kosovës në futboll. (Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.