Arbëri

Ankaraja presion Tiranës: “Duhet të bëjnë një zgjedhje, FETO apo Turqia”

Descriptive Text

Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Hidayet Bayraktar, thotë se është shumë i lënduar për shkak të dëmtimit të imazhit të Turqisë dhe turqve në sytë e shqiptarëve për shkak të organizatës FETO-s, të Fetullah Gulenit. “Shqipëria është vendi ku FETO është më aktivja në Ballkan.

Disa institucione arsimore, shëndetësore, tregtare, fetare dhe të shoqërisë civile, janë kapluar nga virusi i FETO-s”, ka thënë Bayraktar në një prononcim për agjencinë turke të lajmeve Anadolu Agency (AA).

Ambasadori i Turqisë në Tiranë ka deklaruar edhe se pret nga Shqipëria që të ndërmarrë hapa konkretë kundër shtrirjes në Shqipëri të organizatës që Ankaraja tashmë e konsideron si “terroriste” dhe përgjegjëse për grusht shtetin e dështuar të vitit të kaluar.

Ambasadori turk në Tiranë po ashtu e ka cilësuar “organizatën e ngritur nga Fetullah Gylen, i cili është vetëm me shkollë fillore, si një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare të Shqipërisë”, ndërsa ka kërkuar nga Qeveria shqiptare që të zgjedhin mes Turqisë dhe FETO-s.

“Është e pritshme dhe e drejta jonë të kërkojmë nga drejtuesit e shtetit shqiptar që të bëjnë kujdes në këtë drejtim, duke pasur parasysh ndjeshmërinë e partnerit të tyre strategjik, Turqisë. Duhet të bëjnë një zgjedhje, FETO apo Turqia”, citohet të ketë thënë ambasadori Bayraktar.

Presioni i Ankarasë ndaj Tiranës që të ndërrojë qasje ndaj organizatave të ndërlidhura me Fetullah Gylenin është ushtruar edhe më parë. Gjatë një vizite të shefit të diplomacisë shqiptare Ditmir Bushati në Turqi, në tetor të vitit kaluar, homologu i tij turk kërkoi nga autoritetet shqiptare të ndjekin me vëmendje aktivitetet terroriste të lëvizjes së Fetullah Gulenit. “Ne i japim rëndësi bashkëpunimit me autoritetet shqiptare në luftën kundër lëvizjes FETO, e cila ka një prani të fortë në Shqipëri”, tha asokohe Mevlüt Çavuşoğlu.

Në përgjigje të kërkesës së Ankarasë zyrtare, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, ka shprehur angazhimin për të punuar me Turqinë në këtë drejtim duke respektuar procedurat e brendshme të shtetit shqiptar. Megjithatë “kurbani” i parë i Ankarasë zyrtare ndaj lëvizjes FETO tashmë është bërë në Shqipëri, shkruan sot Koha Ditore.

Presioni i Ankarasë zyrtare dhe sidomos i presidentit Erdogan, ka skualifikuar kompaninë turko-indoneziane “Vendeka Bilgi” e shpallur nga Qeveria e Shqipërisë si fituese për marrjen me koncesion të autostradës Milot-Kukës-Morin, apo siç thirret rëndom Rruga e Kombit. Kjo kompani, sipas, Ankarasë zyrtare i rezulton të jetë e lidhur me Fethullah Gulen dhe organizatën e tij “FETO”.