Arbëri

Haradinaj: Jemi kundër Speciales, Asociacionit dhe Demarkacionit

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se partia e tij, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka pasur votë kundër dhe vazhdon me këtë qëndrim për Gjykatën Speciale, siç vazhdon të jetë kundër Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Haradinaj pas një takimi me kryetarin e komunës së Gjakovës, po ashtu ka thënë se projektligji për Demarkacionin me Malin e Zi, është në kuvend dhe deputetët mund të vendosin. Megjithëse, tha se pa vendosur për demarkacionin shpejt, nuk çelet një perspektivë tjetër, transmeton kp.

“Aleanca ka pasur dhe ka votë kundër Gjykatës Speciale, ka votë kundër për Bashkësinë e Komunave Serbe në versionin e rrëzuar nga Gjykata, ka votë kundër për dhomat e posaçme. Kam qenë kundër si opozitë jam kundër edhe në qeverisje, sepse unë s’kam ardhur për përshtatje dhe nuk i përshtatem askujt. Nuk ka me mund me mi bë dikush politikat pos atyre që iu besoj për këtë vend sepse ne vetëm me përshtatje, kemi me përfunduar vetëm si monedhë kusuritëse, kurrë s’kemi me mbërri te ajo që duhet me qenë vend i pavarur, sovran për të marrë vendime”, ka thënë Haradinaj.

Kryeministri po ashtu ka folur edhe për pushimet dimërore të përfolura në medie që kanë qenë luksoze në Zvicër. Ai tha pushimin dimëror në Zvicër e ka paguar me para të veta dhe i kanë kushtuar vetëm 7 mijë euro.

“Pushimi, t’iu them të drejtën unë pare kam për pushim edhe për nja dy a tre, veç kohë s’po kam. Unë kam qenë veç tri netë në pushim, shtatë mijë euro më ka kushtuar, prej parave të mija është paguar, por nuk po dua me hy në debat me këto mediat. Unë jam prej atyre që nuk përshtatna shumë, shkelin shumë mina. Pra, ia prishi planet shumë kujt, e di që ma kthejnë në mënyrë të ndryshme, sepse i kanë instrumentet e veta me më goditë. P.sh. vetë me prodhimin e rrymës në Kosovë, Kosova ka fituar mbi 100 milionë euro, ku vetëm gjatë dimrit kemi pasur me importuar mbi 100 milionë dhe me rritë çmimin e energjisë, mirëpo, fakti që ne kemi lëshuar në prodhim edhe një kapacitet, e kemi ulë çmimin e energjisë në krejt regjionin, pra edhe në Serbi, edhe në Maqedoni dhe në Mal të Zi për 30 euro. Andaj, e di që i kam idhnu plot dhe e di që do ta marrë goditje të tilla, mirëpo nuk e kam shumë problem, kënaqem”, ka thënë Haradinaj.