Arbëri

“Pronto” drejtësia

“Kadale, mos u nxito, se ai njeri na vyn shumë”. Këto janë fjalët që i kishte thënë Kadri Veseli për kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezi, gjatë një bisede telefonike me Adem Grabovcin, në vitin 2011.

Ky muhabet ishte bërë derisa po konsultoheshin për angazhimin e mundshëm të Lumezit, atëkohë kryeprokuror i Prokurorisë së Qarkut në Prishtinë, në Partinë Demokratike të Kosovës, shkruan “Koha Ditore”. “Burrë ma i mirë nuk ka”, i thotë Veseli bashkëpartiakut të tij për Lumezin, derisa shpreh dilemën se kah po iu duhet më shumë - në PDK apo në Prokurori.

Bisedat Veseli-Grabovci, bashkë me ato të Grabovcit dhe presidentit Thaçi dhe deputetit të PDK-së, Besim Beqaj, u publikuan pak kohë më parë nga Kohavizioni, në serinë e re të përgjimeve që dalin në publik, të mbiquajtura “Pronto 3”.

Përgjimet duket qartë se janë pjesë nga dosja hetimore e EULEX-it, që mbulon vitet 2008-2012 të hetimeve që po zhvilloheshin atëkohë rreth Fatmir Limajt për rastin “MTPT”. Sikur edhe “Pronto 1” e “Pronto 2”, edhe këto dëshmojnë për mënyrën e funksionimit joformal dhe shpeshherë kundër rregullave, procedurave po edhe ligjeve të krerëve të partisë deri vonë më të madhe në Kosovë.

Në rastin e “Pronto 3” del në pah një lidhje dyshuar mes Lumezit dhe strukturave të larta të PDK-së, që vë në dyshim edhe integritetin e tij, si kreu i institucionit më të lartë të drejtësisë. Dhe kështu, duke e vënë në pikëpyetje integritetin e tërë sistemit prokurorial.

Por pakkush duket se është befasuar me realitetin që na e zbulojnë përgjimet e reja të serisë “Pronto”. Kjo ndoshta edhe për faktin se sistemi i drejtësisë, si kurrë më parë, ka humbur kredibilitetin e vet në sytë e publikut. Dhe madje për shumë arsye.

Kryeprokurori

Kryeprokurori Lumezi ishte në epiqendër të skandalit tjetër të madh të këtij viti: dyshimeve për falsifikim të provimit të jurisprudencës.

Një pohim i ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, i cili publikisht akuzoi kryeprokurorin Lumezi se dosjen e tij e ka të falsifikuar dhe se nuk e ka të dhënë provimin e jurisprudencës, është hulumtuar nga KTV-ja dhe emisioni “Betimi për drejtësi”, të cilët me ditë të tëra kanë publikuar dëshmi që lënë të kuptohet se diçka nuk ishte në rregull me provimin që Lumezi insistonte se e kishte dhënë, por që e kishte dosjen e mangët dhe të manipuluar.

Bazuar në hulumtimin, Zymer Krasniqi nga Deçani është emri mbi të cilin është shënuar emri i Lumezit në dosjen e kryeprokurorit, e cila gjendej në UP. Emri i tij vërehet nën efektin e dritës. Pas prezantimit të këtij fakti Lumezi prezantoi certifikatën e provimit të jurisprudencës, ku shkruan se atë e ka dhënë më 25 prill 1991. E për të dëshmuar vërtetësinë e certifikatës së tij, Lumezi doli dhe tha se ka siguruar një vërtetim nga ish-sekretari krahinor i Administratës dhe Judikaturës, Gjorgje Aksiq, i cili ishte emëruar në këtë pozitë gjatë kohës së masave të dhunshme, pas dëbimit të punëtorëve shqiptarë ... (shkrimin e plotë e gjeni në numrin special të Kohës Ditore për Vitin e Ri)