Arbëri

Ariana Haradinaj nuk e di nëse ishte cak e shpërthimit në Helsingborg

Vajza e Nasim Haradinajt, Ariana Haradinaj, e plagosur në një shpërthim që ka ndodhur të martën në Helsingborg të Suedisë, në një deklaratë për KTV-në, ka thënë se ende nuk e di nëse ishte cak e këtij shpërthimi.

“Unë jam ende ne spital dhe nuk kam mundësi me fol. Jam plagosur por jam mirë. Ende nuk mund të flas nëse sulmi kishte te bënte me mua ose jo”, ka thënë Haradinaj për KTV-në.

Portali Koha.net ka kontaktuar Nasim Haradinajn, babanë e Arianës, i cili ka konfirmuar se në këtë shpërthim është plagosur vajza e tij, e cila punon si infermiere në këtë qytet dhe ishte duke u përgatitur për fillimin e studimeve në Suedi.

Në një deklaratë për KTV-në, Haradinaj ka thënë se vajza është plagosur në këmbë dhe ka pasur djegie, derisa sulmin e ka cilësuar si akt terrorist, por nuk e ka lidhur me punën e tij si nënkryetar i OVL-së së UÇK-së në Kosovë e as me deklaratën e tij për vrasjet e pasluftës në Kosovë.

“Sulmi është akt terrorist, por unë nuk e lidhi me punën time këtu. Asnjëherë nuk kam pasur kërcënime nga askush e as vajza nuk është kërcënuar asnjëherë”, ka thënë Haradinaj.

Nasim Haradinaj është përfolur shumë në fundin e vitit të shkuar për shkak të një deklaratës së tij se “punë e madhe që janë vrarë aktivistë të LDK-së”.

Policia në Helsingborg dyshon se shpërthimet po ndodhin nga krimi i organizuar