Arbëri

Ymeri: Përndjekja ndaj deputetëve nuk ka përfunduar

Descriptive Text

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosjes, Visar Ymeri ka reaguar pas ndërprerjes së paraburgimit për Albin Kurtin e Donika Kadaj-Bujupin, megjithatë thotë se përndjekja ndaj tyre nuk ka përfunduar.

“Albinit dhe Donikës, Kalludra ua ndërpreu paraburgimin e padrejtë e tërësisht të panevojshëm. Është shumë mirë që nuk do të mbahen më në burg. Por përndjekja ndaj tyre nuk ka përfunduar. Procesi ndaj Albinit, Donikës, Albulenës e Fatonit po vazhdon. Më 3 janar të vitit të ardhshëm do të shqiptohet vendimi i trupit gjykues ndaj tyre, i prirë nga Beqir Kalludra”, ka shkruar Ymeri në Facebook, transmeton Koha.net.

Ymeri më tutje ka shtuar se këta deputetë po gjykohen për shkak të mbrojtjes së sovranitetit dhe kushtetutshmërisë, të cilën synonte Vuçiqi ta përmbyste përmes Thaçit e Mustafës.

“Ky gjykatës po i gjykon deputetët e Kuvendit të Republikës sepse këta ia mbrojtën sovranitetin e territorin kësaj Republike! Ia mbrojtën asaj kushtetutshmërinë të cilën synonte ta përmbys Vuçiqi përmes Thaçit e Mustafës. Praktikisht Kalludra po thotë se kushtetutshmëria e Republikës nuk është e rëndësishme - ankesat e disa prej eksponentëve të pushtetit që e ka kap shtetin janë ligji në Kosovë”, është shprehur ai.

Sipas tij ky gjykim është politik, dhe si i tillë nuk mund të jetë i drejtë dhe kur nuk është i drejtë atëherë është i padrejtë.

“Gjykimi është politik. Kështu ai nuk mund të jetë i drejtë. Kur nuk është i drejtë është i padrejtë. E gjykata që shqipton padrejtësi nuk mund të jetë gjykatë. Të mos harrojmë se e njëjta i dënoi Frashërin, Atdheun, Egzonin dhe Adean pa asnjë provë përmes një vendimi skandaloz gjyqësor. Pra kjo gjykatë e ky gjykatës e kanë dëshmuar tashmë se shqiptimin e padrejtësisë e kanë punë të zakonshme”, ka shkruar Ymeri.

Ai më tutje ka shtuar, “deputetët duhen liruar menjëherë nga ky proces i padrejtë. Aktivistët e dënuar duhen liruar menjëherë nga përndjekja që po u bëhet. ‘Padrejtësia kudo është kërcënim për drejtësinë çdokund’ - Martin Luther King”.