Arbëri

Osmani: Haradinaj për demarkacionin po fshihet pas Pacollit

Descriptive Text

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, ka mohuar akuzat e Ramush Haradinajt se ajo është fajtore për mosmbajtjen e seancën plenare për demarkacionin në Kuvendin e Kosovës.

Në një postim në Facebook, Osmani i është kundërpërgjigjur Haradinajt, duke shkruar se kryeministri ka vendosur të fshihet pas Behgjet Pacollit, i cili më 15 janar pritet të dalë në foltore për ta arsyetuar marrëveshjen e demarkacionit.

“Kryeministër, demarkacionin do t’a keni të gatshëm për seancë me 15 janar. Por siç shihet, edhe aty keni vendosur të fsheheni pas Behgjet Pacollit, të cilin e keni caktuar për të dalë në foltore për t’a arsyetuar marrëveshjen”, ka shkruar deputetja Osmani.

Ky është postimi i Vjosa Osmanit në Facebook:

“Ramush Haradinaj më paska fajësuar mua pse nuk po mbahet seanca plenare për demarkacionin. Nuk e di se cili nga zyrtarët që ua dyfishoi pagat e paska keqinformuar në këtë aspekt. Sidomos kur dihet që në seancë plenare mund të tejkalohen komisionet nëpërmjet kërkesës për shmangje nga rregullorja. Por, po i përgjigjem edhe me disa fjalë rreth kësaj çështjeje Kryeministrit të 71 zëvendësministrave:

1. Ta keni parasysh që kjo akuzë po vjen nga njeriu që e kundërshtoi demarkacionin për dy vite rradhazi me metodat më ekstreme, ndërkaq votoi PRO marrëveshjes së njëjtë para pak kohe.
2. Kuvendi nuk është në sesion, me vendim të Kryesisë të cilin e ka votuar edhe përfaqësuesi i partisë së tij, rrjedhimisht, si rregull, seanca nuk mbahet para 15 janarit, përveç nëse ka kërkesë për seancë të jashtëzakonshme.
3. Kërkesa për votimin e rekomandimit të demarkacionit me 15 janar ka qenë kërkesë e shumicës së deputetëve (të opozitës dhe të koalicionit, por jo e imja dhe as e LDK-së), dhe ai vendim është marrë nga shumica në komision. Por nuk pres që Kryeministri t’a kuptojë këtë koncept të vendimmarrjes, mendimin pluralist dhe konsensusin si koncept.
4. Ai duhet ta pranojë se ka dështuar të gjejë zgjidhje për të gjitha temat e mëdha, e sidomos për çështjen e demarkacionit, dhe mos të tentojë të fshehet as pas Vjosa Osmanit, as pas krizave të reja të krijuara qëllimshëm, siç ishte nisma e fundit për Gjykatën Speciale.
5. Për fund, Kryeministër, demarkacionin do t’a keni të gatshëm për seancë me 15 janar. Por siç shihet, edhe aty keni vendosur të fsheheni pas Behgjet Pacollit, të cilin e keni caktuar për të dalë në foltore për t’a arsyetuar marrëveshjen.

Image