Arbëri

Prokuroria Speciale nis hetimet për faturat e rrymës në veri

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka nisur hetimet preliminare lidhur me dyshimet për dallavere me faturat e energjisë elektrike për pjesën veriore të vendit.

Nisjen e hetimeve e ka konfirmuar prokurori special i PSRK-së, Ali Rexha.

“Po kam nisur hetimet preliminare për faturat e energjisë në veri. Me vetë iniciativë kam autorizuar policinë të grumbulloi informacione në lidhje me dyshimet e ngritura në publik”, ka thënë për “Betimi për Drejtësi” prokurori Rexha.

Ai nuk ka komentuar më shumë në këtë fazë, pasi sipas tij, ende pret informacione për të vlerësuar më pas nëse ka bazë të mjaftueshme për të filluar hetime penale.“Jam në pritje të informacioneve të nevojshme për të cilat kam lëshuar autorizim tek policia”, ka shtuar prokurori Rexha.

Zyra e Avokatit të Popullit sipas detyrës zyrtare kishte iniciuar hetimet lidhur me faturimin e paligjshëm të energjisë elektrike të shpenzuar në veri, pasi që ZRRE-ja asnjëherë nuk i kishte njoftuar qytetarët se po e paguanin rrymën e shpenzuar në veri, transmeton rtk .

Avokati i Popullit kishte gjetur se rreth 8 milionë euro brenda vitit, ishin shpenzuar nga komunat në veri të Kosovës, kryesisht të banuara me shumicë serbe, ndërsa shpenzimet e kësaj energjie i ishin faturuar pjesës tjetër të qytetarëve të Kosovës.

Lidhur me këtë çështje Avokati i Popullit kishte dërguar pyetje në ZRRE nga të cilët kishte pranuar përgjigje se vendimi i atakuar përcakton nivelin e reduktimit të humbjeve të energjisë në tërë territorin e Kosovës, përfshirë edhe komunat në veri.

Lidhur me të gjitha të gjeturat e Avokatit të Popullit u ishin adresuar rekomandime ZRRE-së, Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

Avokati i Popullit institucioneve relevante u kishte rekomanduar që urgjentisht të ndërpritet praktika e paligjshme e energjisë elektrike të shpenzuar në veri dhe që Qeveria e Kosovës, ZRRE-ja dhe KEDS-i të gjejnë mënyra alternative të faturimit, duke mos shkelur të drejtat e qytetarëve të Kosovës.

Për këtë problem, Avokati i Popullit, në muajin prill të këtij viti, kishte iniciuar hetime duke dërguar lëndën edhe në gjykatë.Kurse, përveç Gjykatës Themelore të Prishtinës, edhe Gjykata e Apelit, në nëntor të këtij viti, kishte pezulluar vendimin e ZRRE-së, i cili i detyronte qytetarët që nëpërmjet faturave të energjisë të paguajnë për rrymën që nuk e shpenzojnë vetë, por që shpenzohet në veri të vendit.Pas këtij vendimi, qytetarët do të paguajnë 3.5% më pak në faturat e tyre, pasi siç është llogaritur, shuma mesatare e pagesës së bërë nga një konsumator për rrymën e shpenzuar në veri është 5 euro.

Ndërkaq, në muajin prill pritet të merret vendimi për tarifat e reja të energjisë elektrike, kurse deri atëherë rrymën e paguar në atë pjesë do ta bëjë Qeveria e Kosovës përmes buxhetit të shtetit.