Arbëri

Ish-diplomati kosovar kërkon dorëheqjen e Thaçit, Veselit e Haradinajt

Ish-diplomati i Kosovës, Lulzim Peci, në emisionin “Rubikon” të KTV-së, ka thënë se tentimi për të shfuqizuar Gjykatën Speciale, ka qenë hapi më i gabueshëm i politikës kosovare që prej vitit 1999 dhe ka kërkuar dorëheqjen e liderëve, Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Ramush Haradinaj.

Peci në emision ka thënë se që prej të premtes kur është tentuar shfuqizimi i Gjykatës Speciale, Kosova nuk shihet njëjtë nga bashkësia ndërkombëtare.

“Unë mendoj se ky ka qenë hapi më i gabueshëm i politikës kosovare pas 1999. Ne kemi votuar si parlament, janë aprovuar ndryshimet kushtetuese dhe në shtetet që ndërrohet qeveria dhe nuk respektohen marrëveshjet ndërkombëtare, atëherë këto shtete shihen si shtete batakçi dhe shtete joserioze”, ka thënë Peci.

“Me intencën tonë e kemi pru vetveten tonë në këtë pikë. Prej të premtes Kosova nuk është e njëjtë në sytë e bashkësisë ndërkombëtare. Ne kemi treguar intenca se mund të punojmë prapa shpinës së tyre”, ka shtuar ai.

Peci në emisionin “Rubikon” të KTV-së, pas tentimit për të shfuqizuar Gjykatën Speciale, ka kërkuar dorëheqjen e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Ramush Haradinajt.

“Vetë ish-zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, më 3 shkurt të vitit 2016 ka nënshkruar marrëveshjen me Holandën për themelimin e kësaj gjykate. Kosova duhet të mësohet për të respektuar marrëveshjet ndërkombëtare”, ka thënë ish-ambadasori.

“BE-ja në vitin 2015 e ka marrë qëndrimin që 200 milionë euro të jepen për Gjykatën Speciale, sivjet janë shpenzuar 66,6 milionë euro. Ne krejt këta hapa i kemi negociuar me bashkësinë ndërkombëtare. Me këtë tentim, tre liderët e kanë humbur kredibilitetin për përfaqësim të Kosovës edhe brenda edhe jashtë. Zgjedhja më e mirë është të japin dorëheqje. Gabim i pafalshëm nga ana e tyre”, ka thënë Peci.