Arbëri

Ymeri: Vegla e Kadri Veselit, Kalludra, ua vazhdoi paraburgimin deputetëve tanë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, e ka quajtur vendim të padrejtë vazhdimin e mbajtjes në paraburgim të deputetëve Albin Kurti dhe Donika Kadaj Bujupi.

Ai thotë se gjyqtari i rastit, Beqir Kalludra, është vegël e Kadri Veselit dhe gjyqësori, pa dallim, është pjesë e klanit “Pronto”.

“Gjyqësori i kapur nga klani ‘Pronto’ vazhdoi padrejtësinë ndaj Albinit dhe Donikës. Vegla e Kadri Veselit, Beqir Kalludra, vazhdoi edhe 30 ditë paraburgimin për deputetët tanë. Ky gjyqtar i kapur e pa kredibilitet është shndërruar në argatin kryesor të pushtetit për të përndjekur aktivistët dhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje”, tha Ymeri përmes një postimi në Facebook.

“Kurse, përndjekja e persekutimi ndaj Albinit e Donikës, ndaj Albulenës e Fatonit, duhet të marrë fund. Sikurse Adea, Atdheu, Egzoni e Frashëri duhet të lirohen”, shtoi Ymeri, ndërsa kërkoi liri për të gjithë deputetët e aktivistit si dhe drejtësi për të ndjerin Astrit Dehari.