Arbëri

Çmimi i rrymës do të rritet - importi deri në mars i kushton vendit mbi 40 milionë euro

Rritja e çmimit të energjisë është e pamundur të ndalet. Kjo për faktin se vlera e dëmeve që po parashihet t’i shkaktohen sektorit të energjisë nga mungesa e thëngjillit, importi i saj dhe ndalimi i pagesës për energjinë e shpenzuar në veri do të arrijë dhjetëra miliona euro.

Në bazë të këtij raporti të komitetit teknik emergjent të formuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe të cilin e ka siguruar KTV-ja, parashikohen humbjet nga këto probleme.

Operatori i Sistemit Transmisionit dhe Tregut KOSTT, ka parashikuar humbje të rreth 9.2 milionë eurove për shkak të vendimit të gjykatës që të pezullohet pagesa e energjisë së shpenzuar në veri.

Ky operator ka parashikuar që nëse arrihet të bëhet ndonjë kombinim, pa dhënë ndonjë detaj për të, atëherë kjo shumë mund të ulet në 5.2 milionë euro.

Humbësja më e madhe nga këto probleme do të jetë Korporata Energjetike e Kosovës.

Kjo ndërmarrje ka paralajmëruar që në mungesë të thëngjillit shkaku i shpronësimit në Hade dhe Shipitullë, vlera e humbjeve do të arrijë në 41.3 milionë, ndërsa nëse bazohen në skenarin optimist vlera e humbjeve mund të ulet në 30 milionë euro.

Por, KEK-u ka paralajmëruar se nëse nuk realizohet plani me përpikëri, atëherë kostoja që do të rrjedhë nga mosrealizimi i tij, do të jetë shumë më e madhe se në skenarin bazë prej 41.3 milionë eurosh.

Aktualisht ka vetëm 1.1 milion tonelata me thëngjill në dispozicion dhe që do të shpenzohen gjatë muajve në vijim.

Për shkak të mungesës së thëngjillit, KEK-u nga tetori ka nisur të operojë me vetëm dy blloqe, të cilat prodhojnë vetëm 390 megavat energji, përderisa kërkesa për këtë produkt në vendin tonë arrin në afër 1.000 megavat.

Dhe, për shkak të mungesës së kësaj lënde, në tre muajt e parë të vitit të ardhshëm do të prodhohen 577 mijë e 240 megavat energji më pak se sa ishte planifikuar.

KEK-u në sqarimet e dhëna në këtë raport ka thënë se kostoja e shpronësimeve në Hade dhe Shipitullë ka arritur në 27 milionë euro nga 4.5 milionë sa ishte paraparë në vitin 2012.

Mirëpo, nuk janë vetëm këto humbjet e kësaj ndërmarrjeje.

Ndikimi financiar për shkak të mosprodhimit të energjisë brenda muajve nëntor 2017-mars 2018 do të arrijë në mbi 28.6 milionë euro.

Kurse, kostoja e humbjeve në rrjet dhe ato në veri arrin në 6.7 milionë euro.

KEDS-i dhe KESCO, kanë paraparë një humbje prej 42.2 milionë euro nga importi i energjisë dhe që e njëjta sillet mes 60 deri në 78 euro megavati.

Dy kompanitë kanë thënë se pas ndërprerjes së pagesës së energjisë e shpenzuar në veri dhe pas përgjysmimit të prodhimit të energjisë në KEK, vlera e dëmit të krijuar ka arritur në 13 milionë euro.

Komiteti teknik emergjent në takimin e mbajtur më 21 dhjetor ka dhënë 4 rekomandime, ku përfshihet subvencionimi i kostove të importit të energjisë që do të duhet t’i realizojë KEK-u, të bëhet licencimi i furnizuesit për operim në veri të Kosovës, sigurimi i fondit për mbulimin e humbjeve nga furnizimi me energji në komunat e veriut, si dhe funksionalizimi i Bordit të ZRRE-së.