Arbëri

Buxheti për sistemin e drejtësisë në Kosovë vitin e ardhshëm do të jetë më i lartë

Descriptive Text

Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe ai Prokurorial në vitin 2018 do të kenë buxhet më të lartë. Edhe pse kërkesat për rritje të buxhetit ishin më të mëdha, në këto dy institucione thonë se rritja e buxhetit do të ndikojë pozitivisht në punën e tyre.

Ndërkaq, organizatat e shoqërisë civile thonë se kjo rritje nuk është e mjaftueshme për përmirësimin e gjendjes në sistemin e drejtësisë.

Buxheti për sistemin e drejtësisë në Kosovë për vitin e ardhshëm do të jetë për 13 për qind më i lartë. Zëdhënësja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Aishe Qorraj, ka thënë se këtij institucioni buxheti i është rritur për 1 milion e 600 mijë euro, krahasuar me vitin paraprak. Kjo rritje, sipas saj, do të ndikojë pozitivisht në punën e gjykatave, shkruan televizioni publik.

“Kërkesat buxhetore për pozita shtesë për vitin 2018, janë aprovuar nga Ministria e Financave. Kryesisht këto pozita janë për bashkëpunëtorë profesionalë dhe zyrtarë ligjorë. Me rritjen e buxhetit për gjyqësorin shtohet efikasiteti në gjykata, dhe kjo mundëson zvogëlimin e lëndëve të pazgjidhura, të cilat po e sfidojnë në vazhdimësi gjyqësorin, që nga paslufta”, tha Qorraj.

Dy milionë më pak se sa kanë kërkuar i janë ndarë Këshillit Prokurorial të Kosovës. Sipas zëdhënësit të këtij institucioni, Astrit Kolaj, më shumë efikasitet në punën e prokurorisë do të kishte sikur të aprovohej buxheti që kanë kërkuar. Buxheti i Këshillit Prokurorial për vitin 2018 është mbi 11 milionë euro me një rritje prej 13 për qind. Por, buxhetin e ndarë për sistemin e drejtësisë në Kosovë e kritikon Betim Musliu, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, organizatë kjo që merret me monitorimin e sistemit të drejtësisë në vend. Sipas Musliut, politika nuk e ka ndarë buxhetin e duhur për sistemin e drejtësisë.

“Edhe më tutje sistemi i drejtësisë nuk ka një buxheti që mundëson funksionim efikas, sepse sërish një pjesë e vogël e buxhetit të shtetit ndahet për sistemin e drejtësisë. Pra, politika duhet që të përkrahë më shumë sistemin e drejtësisë, në këtë rast edhe Këshillin Gjyqësor dhe atë prokurorial”, u shpreh Musliu.

Buxheti për sistemin e drejtësisë për vitin 2018 është 9 milionë më i lartë se në vitin paraprak. Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ditë më parë ka thënë se kjo rritja e buxhetit për drejtësi do të mundësojë shtimin e 690 vendeve të reja të punës, të cilat, sipas tij, do ndikojnë në uljen e numrit të lëndëve të pazgjidhura.