Arbëri

Kurti, kandidat për kryetar të VV-së

Erzen Vraniqi, anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, përmes një postimi në Facebook, ka bërë me dije se deputeti Albin Kurti do të kandidojë për të drejtuar Lëvizjen.

“Si anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, nënshkrova në mbështetje të kandidaturës së Albin Kurtit për kryetar të Lëvizjes. Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm kishte miratuar sot, pas verifikimit, deklaratën e tij të kandidimit, dhe tashmë ka nisur zyrtarisht grumbullimi i nënshkrimeve”, shkroi mbrëmë Vraniqi në Facebook.

Lëvizja Vetëvendosje ka nisur përgatitjet për zgjedhjen e kryetarit, zgjedhje këto që është paraparë të mbahen në muajin shkurt.

Kujtojmë se kohëve të fundit ka pasur përçarje të mëdha në Lëvizjen Vetëvendosje, ku Dardan Molliqaj, deputet dhe ish-Sekretar Organizativ i partisë, ka dalë haptazi kundër kandidaturës së Kurtit për kryetar të Lëvizjes.