Arbëri

S’ka parcelë për objektin e FSHMN-së as gjatë vitit 2018

Në bodrumin e Fakultetit të Filologjisë, por edhe në pjesë tjera të Fakulteteve të UP-së, vijojnë ligjëratat studentët e Fakultetit të Shkencave Matematike Natyrore.

Kjo hapësirë, ku studentët e kalojnë një pjesë të madhe të kohës, nuk i përmbush as për së afërmi kushtet për mësim. Kundërmimi dhe ndriçimi jo i duhur shpeshherë mund të jenë të papërballueshme për studentët, raporton KTV.

Salla e laboratorit njëkohësisht është edhe sallë e mësimdhënësve dhe duke qenë se aty ka kemikale të shumta, profesorët tregojnë se si shpeshherë kanë kërkuar edhe ndihmë mjekësore.

E dekani i FSHMN-së, Tahir Arbneshi, thotë se është e domosdoshme gjetja e një zgjidhjeje, pasi studentët, por edhe profesorët, vazhdimisht ankohen.

Miranda Mullafazliu, zyrtare për informim në Komunën e Prishtinës, nuk ka treguar nëse është caktuar parcela për ndërtimin e objektit të ri, por thotë se kryetari i komunës, Shpend Ahmeti, vazhdimisht po zhvillon takime me zyrtarë të Universitetit të Prishtinës, për ta diskutuar këtë çështje në hollësi.

Pikërisht për shkak të mospërcaktimit të parcelës, ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, ka deklaruar se nuk është futur në buxhet ndërtimi i objektit. Por ai thotë se do të konsultohet me donatorët dhe, edhe pse nuk është paraparë ndërtimi i tij për vitin 2018, objekti mund të fillojë së ndërtuari.