Arbëri

Me rastin e 28 vjetorit, LDK bën homazhe te varri i Rugovës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa, bashkë me anëtarët e kryesisë, me rastin e 28 vjetorit të themelimit të LDK-së, kanë bërë homazhe te varri i ish-Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Mustafa u shpreh mjaft i nderuar për faktin se e ka pasur një kryetar si Rugova, që i dha drejtimin kësaj partie.

“Ishte njeri i cili ia dha drejtimin Lidhjes Demokratike, por edhe drejtimet demokracisë dhe ndërtimit të shtetit të Kosovës. Ne jemi të nderuar që kemi pas një kryetar të tillë, jemi të nderuar po ashtu që e kemi Lidhjen Demokratike, e cila edhe në të kaluarën, edhe sot po luan një rol themelor për shtetin e Kosovës si faktor shumë i rëndësishëm i drejtimit të këtij vendi drejt Bashkimit Evropian”, tha ai, transmeton kp.

Kurse, i pyetur për konceptin rugovian, Mustafa tha se do ta janë së paku tri gjenerata të LDK-së, por që këtë koncept do ta mbanë përgjithmonë.

“Ne kemi mbajtur konceptin themelor që ne e quajmë si koncept Rugovian të Lidhjes Demokratike, do ta mbajmë gjithmonë këtë koncept. Kemi bërë punë të madhe sepse kemi krijuar një harmoni të shkëlqyeshme ndërmjet gjeneratave, sepse janë gati 30 vjet, së paku 3 gjenerata të LDK-së. Natyrisht se ne kemi diversitet të mendimeve, diversitet të veprimeve, por i gjithë ai diversitet mbërthehet në logjikën, në idenë dhe në programin e LDK-së.

Aktiviteti i LDK-së do të vazhdojë sot edhe me një manifestim për ta shënuar këtë përvjetor.