Arbëri

Politikani britanik thotë se nxënësit kosovarë kanë përmirësuar cilësinë e shkollave në Britani

Fëmijët migrantë kanë ndihmuar në përmirësimin e rezultateve shkollore, ka thënë Michael Gove, politikan britanik nga Partia Konservatore.

Gove, i cili ka qenë Sekretar Shtetëror për Edukim dhe Sekretar Shtetëror i Drejtësisë, ka thënë se Londra ka përfituar nga diversiteti i popullatës së saj, duke ndihmuar në ngritjen e standardeve.

“Në shumë raste, disa prej prindërve me pritjet më të mëdha për fëmijët e tyre janë ata që kanë ardhur në kryeqytet si refugjatë nga vende si Kosova dhe Somalia”, ka thënë ai, transmeton Koha.net.

Por Gove ka paralajmëruar po ashtu se migrimi ka kosto, duke detyruar rritjen e klasave.

Duke folur në forumin në Dubai “Global Education and Skills”, ai tha: “Ka shumë dëshmi se Londra, duke u bërë më diverse, ka kontribuuar në ngritje të standardeve edukative”.

“Nuk po them se ky është shkaku kryesor, larg asaj, por mendoj se është një prej rasteve, dhe unë këtë e di nga përvojat e mia si prind i dy fëmijëve në shkollat shtetërore të Londrës. Shumica e fëmijëve, apo prindërit e të cilëve që kanë ardhur këtu viteve të fundit, kanë pritje jashtëzakonisht të mëdha nga sistemi shtetëror. Shumica e prindërve të përfshirë janë persona që mund të jenë refugjatë nga Kosova apo Somalia”, ka thënë politikani Gove.

“Ata dëshirojnë që fëmijët e tyre të jenë të suksesshëm në Britani, si shtetas britanikë, dhe kështu ata kanë shpresa shumë të mëdha nga shkolla”, u shpreh ai, transmeton Koha.net.

Gove, i cili ishte pro largimit të Britanisë nga BE, tha se migrimi “mund të jetë një gjë shumë e mirë për ekonominë e vendit”.